Rritje e numrit të vatrave të zjarrit në Kosovë, 101 zjarre në 6 orë

Raporti i fundit i Qendrës Operative të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave tregon një rritje shqetësuese të vatrave të zjarrit në vend. Gjatë gjashtë orëve të fundit, janë regjistruar gjithsej 101 vatra zjarri, nga të cilat 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar dhe nën kontroll.
Sipas QO AME-së, njësitë e zjarrfikësve dhe shpëtimit janë në terren dhe po punojnë intensivisht për të fikur zjarret në të gjitha lokacionet e prekura. Fatkeqësisht, gjatë një ndërhyrjeje në Ferizaj, një zjarrfikës ka pësuar lëndime dhe po merr trajtim mjekësor.
“Komunikimi midis Qendrës Operative Emergjente (QOE-112), njësive profesionale të zjarrfikësve dhe stafit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave po vazhdon të jetë i rregullt dhe i koordinuar”.
“Një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme ka qenë edhe në fshatin Zasellë të Mitrovicës, ku për fikjen e zjarrit ka qenë i angazhuar edhe helikopteri i KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe njësitë e zjarrfikësve, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë në gatishmëri të plotë dhe po reagojnë 24 orë në ditë për tejkalimin e situatës.
Në kuadër të situatës kritike, autoritetet bëjnë apel të fuqishëm për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal: “Mos ndizni zjarre në ambientet e jashtme, dhe në rast të ndonjë zjarri apo situate emergjente, të lajmërojnë menjëherë në numrat 112, 193 ose 192”.