Rritje shqetësuese e vetëvrasjeve në Kosovë, KMDLNJ kërkon masa urgjente

Brenda 48 orëve, gjashtë persona kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta, shumica e të cilave dyshohet se janë vetëvrasje.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Liriev ët Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, shprehu shqetësimin për mungesën e statistikave zyrtare dhe theksoi se situata është alarmante.
“Realisht këto të gjitha kanë qenë vdekje të dyshimta, por në këto raste, nga informatat që kemi, numri më i madh i tyre janë vetëvrasje të dëshmuara. Për të tjerët, duhet një raport i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Është e keqe se pasi po bëhet publik një lajm për një vrasje të supozuar, atëherë rasti po kalon në procedura gjyqësore dhe rasti heshtet. Po mungojnë statistikat e sakta se sa vetëvrasje ka pasur gjatë këtij viti dhe në raste të caktuara nuk mund të pasqyrojnë realitetin, sepse ka aty probleme familjare që mundohen të mbulohen. Por, në përgjithësi, rritja e numrit të vetëvrasjeve është shumë shqetësuese për faktin që mbas përfundimit të luftës, kur ka qenë një situatë shumë e rëndë post-traumatike, ka pasur më pak vetëvrasje”, tha Shala.
Ai tha se ndonëse pas luftës kishte më pak vetëvrasje, sot kriza e thellë ekonomike dhe mungesa e shpresës po çojnë qytetarët drejt veprimeve tragjike.
“Tani, në një krizë të rënduar ekonomike-sociale, njerëzit nuk po shohin shpresë, përkundër premtimeve të qeverisë që kanë për detyrë të plasojnë të pavërtetat. Gjendja është se pjesa dërrmuese e popullsisë është duke vuajtur nga gjendja ekonomike e rëndë. Pensionistët brenda pesë vjetësh nuk kanë pasur rritje të pensioneve, përveç 20 për qind”, tha ai.
Shala kritikoi institucionet për mungesën e mekanizmave parandalues dhe theksoi se përgjegjësia për trajtimin e rasteve të vetëvrasjeve është institucionale.
“Të gjithë po merremi me pasojën. Kur ndodh rasti, të gjithë reagojmë, i gjykojmë rastet, por kjo është krijuar si një këngë vajtuese për të gjithë derisa të kalojë rasti. Por nuk ka asnjë mekanizëm parandalues. Nuk do të mund të çrrënjoset kjo dukuri, por së paku të ulen rastet. Është përgjegjësi institucionale që të trajtohen këto raste. Qytetarët nuk arrijnë që të lidhin muajin me muaj dhe nuk mund të mbijetojnë. Në raste të dëshpërimit, dikush ka familje dhe nuk mund të sigurojë gjërat elementare për familje dhe e gjen mënyrën më të lehtë: i jep fund jetës së tyre”, tha Shala.