Rivarroset Myrteza Dylhasi, i zhdukur nga marsi i ’99-tës
Sot në Gjakovë u bë rivarrimi me nderime i Myrteza Dylhasit, i zhdukur më 27 mars 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Për 27 vjet, Myrteza Dylhasi ishte në listën e personave të zhdukur, si pjesë e grupit prej 11 qytetarësh të rrëmbyer dhe zhdukur nga forcat serbe, në rastin e njohur si rasti i ‘Shtëpisë së Familjes Qerkezi’.
Mbetjet mortore të tij u gjetën në lokalitetet përgjatë rrjedhës së lumit Drini i Bardhë. Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore e angazhimit të vazhdueshëm të ekspertëve dhe analizave të ADN-së, u bë i mundur identifikimi dhe rivarrimi i tij me dinjitet.
Nga i njëjti grup, gjashtë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa familja Dylhasi mbetet në pritje edhe për zbardhjen e fatit të Skender Dylhasit, babai i Myrteza Dylhasit.
Ky rast dëshmon se procesi i kërkimit vazhdon dhe se përkushtimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i palëkundur deri në ndriçimin e fatit të çdo personi të zhdukur.
Me këtë rast, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dylhasi dhe nderimin më të thellë për qëndresën e tyre 27 vjeçare në kërkim të së vërtetës.

