Rrjedhja e dokumenteve nga Pentagoni, flet Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, po qëndron për një vizitë zyrtare në Irlandë.
Ai e ka takuar presidentin e këtij vendi Michael D Higgins.
Biden është pyetur edhe rreth situatës së krijuar pas ‘rrjedhjen’ e disa dokumenteve nga Pentagoni, nëse ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me rastin.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk ka njohuri të ndonjë ‘zhvillimi bashkëkohor’ në lidhje me luftën në Ukrainë.
Ai tha se hetuesit po punojnë për zbardhjen e këtij skandali.
“Nuk kam përgjigje. Nuk mund të flas tani. Hetimet po zhvillohen nga inteligjenca dhe Departamenti i Drejtësisë. Ata janë duke u afruar tek rezultati”, tha Biden.
Joe Biden u pyet nga gazetarët nëse është i shqetësuar lidhur me këtë ngjarje.
Biden fillimisht tha se nuk është i shqetësuar e më pas u korrigjua:
“Jam i shqetësuar që ka ndodhur, por nuk ka asgjë të njëkohshme për të cilën jam në dijeni”, tha Biden.
Javën e kaluar nga Pentagoni në SHBA kanë rrjedhur disa dokumente që shkruajnë lidhur me luftën në Ukrainë.
Aty flitet edhe për organizimin ushtarak atje dhe disa karakteristika të ushtrisë ukainase.
E kjo, i ka alarmuar zyrtarët e lartë amerikanë të cilët janë mobilizuar për t’i vënë nën kontroll dokumentet.