Rrjedhje uji në muzeun e Luvrit, dëmtohen rreth 400 vepra në departamentin egjiptian
Një rrjedhje uji në fund të nëntorit dëmtoi disa qindra vepra në departamentin egjiptian të Luvrit.
Lajmin e njoftoi muzeu i Parisit të dielën, disa javë pas vjedhjes së bizhuterive e cila ngriti shqetësime mbi infrastrukturën dhe sigurinë e Luvrit.
Zëvendës administratori i muzeut, Francis Steinbock tha se rrjedhja e ujit u zbulua më 26 nëntor dhe janë dëmtuar deri në 400 vepra. Mes tyre ka edhe revista egjiptologjike dhe dokumentacion shkencor të cilat janë përdorur nga studiuesit.
Steinbock theksoi se sendet e dëmtuara datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të dhe janë jashtëzakonisht të dobishme, por ai un justifikua duke shtuar se ato nuk janë aspak unike.
“Asnjë objekt i trashëgimisë nuk është prekur nga ky dëmtim. Në këtë fazë, nuk kemi humbje të pariparueshme dhe përfundimtare në këto koleksione”, tha ai.
Incidenti vjen pas një vjedhjeje në tetor, ku një bandë me katër persona bastisi muzeun e artit më të vizituar në botë në mes të ditës, duke vjedhur bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë në vetëm shtatë minuta para se të arratiseshin. Kjo çoi në një debat mbi infrastrukturën e vjetër të muzeut.

