18:38 / E Hënë, 29 Qershor 2020 / indeksADMonline

Rrjeti elektronik i pagesave “Paysera” zgjerohet edhe në Kosovë

Rrjeti elektronik i pagesave “Paysera” ka njoftuar se është duke u zgjeruar edhe në tregun e Kosovës, me çmimin më të ulët të transfereve dhe pa asnjë tarifë kreditore.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) i ka dhënë licencën e parë të Institucionit të Parave Elektronike “Paysera-së”, raporton Gazeta Insajderi.

“Paysera” filloi të veprojë në Baltikë 16 vjet më parë, dhe nivelet e transferimit të saj në rajon ishin të ngjashme me ato që janë sot në Kosovë, mirëpo konkurrenca ka bërë që të ketë transferime më të lira si për vendin ashtu edhe ndërkombëtare, duke hequr kështu tarifën kreditore.

Liçensa e Bankës Qendrore për rrjetin ndërkombëtar të pagesave nënkupton transferime të lira dhe të sigurta, pasi “Paysera”, po sjell normat evropiane në Kosovë. Qytetarët dhe bizneset e Kosovës tani paguajnë 25 euro për një transfer të parave në vendet e BE-së, por kjo do të ndryshojë. Nuk do t’ju kushtojë më qyetarëtve të dërgojnë para brenda vendit dhe në vendet e BE-së përmes bankingut dhe aplikacionit në internet “Paysera”, ndërsa tarifa për bizneset do të kushtojë vetëm 1 euro.

“Paysera” do t’i ofrojë tregut kosovar me karta pagese, transferime të lira ose falas përmes aplikacionit, pagesa në internet, pagesa përmes telefonit me anë të “Google Pay” ose “Samsung Pay” e së shpejti edhe në “Apple Pay”.

Banorët e Kosovës tashmë mund ta shkarkojnë aplikacionin e “Paysera” në telefonin e tyre nga Google Play dhe App Store, por ata nuk do të mund të përfitojnë plotësisht nga institucioni i parave elektronike deri në fund të vitit 2020.