75 Mall Live Search
13:14 / E Hënë, 14 Shtator 2020 / indeksADMonline

Rrjeti i Grave reagon për uljen e dënimit ndaj Pjetër Ndrecajt, që vrau gruan dhe vajzën e tij

Rrjeti i Grave i Kosovës (RrGK) ka reaguar për uljen e dënimit ndaj Pjetër Ndrecajt, i cili në mbrëmjen e shtatë gushtit të 2018-s, kishte vrarë gruan e tij Valbonën dhe vajzën e tij.

Gjykata Themelore e Gjakovës e ka dënuar Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burgim dhe po ashtu dënohet me… burgim për armëmbajtje pa leje.

Rrjeti i Grave i Kosovës është shprehur shqetësuese për një dënim të këtij lloji.

Në reagimin e RrGK-së thuhet se dënimi prej 24 vjet e gjysmë burgim, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit.

“Rrjeti i Grave i Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Gjakovës për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn, për vrasjen brutale të bashkëshortes dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018. Dënimi prej 24 vjet e gjysmë burgim, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë, përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Tutje RrGK-ja, shpjegon pse ndaj Ndrecajt do të duhej të shqiptohej dënim me burgim të përjetshëm.

“Vepra penale “Vrasje e rëndë” në rastin Ndrecaj bart në vete dy kualifikime ligjore; vrasjen e bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj si edhe vrasjen e fëmijës (vajzës 9-vjeçare). Për këtë vepër penale parashihet dënim me burgim të përjetshëm, në rastin konkret rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, siç janë; mënyra e kryerjes së vrasjeve dhe fakti që viktimat kanë qenë të pambrojtura është dashur të ndikonin në ashpërsimin e dënimit duke ia shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm të pandehurit Ndrecaj”, thuhet midis tjerash në RrGK.