Rrjeti i Grave reagon për vendimin e gjykatës ndaj vrasësit të Donjeta Pajazitajt
Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit me burgim të përjetshëm ndaj vrasësit të Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitajt ka bërë që të rikthej besimin në punën e institucioneve të drejtësisë.
Adelina Berisha, koordinatore për Hulumtim dhe Avokim mbi Dhunën në Baza Gjinore ka thënë për Gazetën Insajderi se ky është vendimi i dytë që brenda një afati të shkurtë kohorë gjyqësia të vendos drejtë.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit na bënë të rikthejmë besimin në punën e institucioneve të drejtësisë, marrë parasysh që ky është vendimi i dytë, brenda një afati të ngushtë kohorë, ku gjyqësia po vendos drejtë gjatë shpalljes së drejtësisë në rastet e vrasjeve të grave dhe vajzave”, ka thënë Berisha.
Berisha është shprehur se “qysh në dhjetor të vitit 2015, kur RrGK kuptoi që është zhdukur e ndjera bëri thirrje që të ketë hetim të drejtë për ta zbardhur këtë rast, ndërsa në vitin 2018, më saktësisht më 6 mars 2018, RrGK pati reaguar kur i njëjti u lirua nga të gjitha akuzat nga Gjykata Themelore në Pejë, me arsyetimin e mungesës së provave”.
Ndërsa sot Gjykata e Apelit ka marr vendimin maksimal ndaj, Naser Pajazitajt, dhunuesin dhe vrasësin e Donjeta Pajazitajt. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga trupi gjykues.
Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj, shkruan Gazeta Insajderi.
Në seancën e sotme, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, ka thënë se informata e parë që familja e tani të ndjerës për zhdukjen e bijës së tyre, e kishte marr nga tani i akuzuari Naser Pajazitaj.
Sipas saj, është vërtetuar në tërësi se i akuzuari Pajazitaj kishte kryer vrasjen e tani të ndjerës duke e shfrytëzuar besimin dhe padjallëzinë e viktimës dhe e njëjta ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit nga dy kalimtarë të rastit.
Prokurorja ka thënë se i akuzuari kishte dhënë disa dezinformata familjarëve të tani të ndjerës, kinse e kishte parë atë në disa vende, mirëpo ky veprim nga i akuzuari, sipas saj, ishte bërë me qëllim të shmangies së gjetjes së trupit të viktimës.