13:42 / E Martë, 20 Gusht 2019 / indeksADMonline

Rruga e Kombit, hapen 7 ura së shpejti në të dy krahët për qarkullim

Së shpejti përfundojnë punimet në 7 urat e Rrugës së Kombit, të cilat do të jenë të hapura në të dy krahët për qarkullim automjetesh.

Kryeministri Edi Rama informoi sot se kjo ndërhyrje do t’i japë zgjidhje trafikut të makinave që krijohej në këto nyja, si edhe do të evitojë aksidentet e vazhdueshme.

“Edhe pak… punë ditësh dhe 7 ‘gjysmagjelat’ me një krah e me një këmbë, në Rrugën e Kombit, ku vargu i makinave mblidhej për vite si në grykën e shishes dhe aksidentet ishin të vazhdueshme, do të jenë 7 ura spektakolare të hapura në të dy krahët për qarkullimin”, tha Rama.

Aksi kombëtar Kukës-Morinë quhej i përfunduar deri pak vite më parë, por në të mungonin urat dhe mbikalimet, rrugët lidhëse me fshatrat përreth, po ashtu elementët e sigurisë.

Për të plotësuar rrugën me këto elementë, qeveria hapi kantieret e reja të punimeve në verilindje të vendit.

Ritmet e punimeve në këtë aks strategjik kombëtar, janë të larta për të bërë të mundur dorëzimin e objektit në afat.