75 Mall Live Search
09:52 / E Premte, 21 Tetor 2022 / B O

Rruga e rrezikshme për në shkollë në Kaçanik

Nxënësit e shkollës ‘Emin Duraku’ në qytetin e Kaçanikut vazhdojnë ta bëjnë rrugën shtëpi-shkollë me mjaft rrezik.

Kjo ngase gjatë rrugës ata duhet të kalojnë hekurudhën, e në të cilën mungon çdo masë mbrojtëse. Komuna hedh fajin tek ‘Infrakosi’ ndërsa këta të fundit theksojnë se komuna është ajo që bënë planin e saj urbanistik.

Pa laura e masa tjera mbrojtëse, është rruga që e bëjnë çdo ditë nxënësit e shkollës ‘Emin Duraku’ në qytetin e Kaçanikut. Edhe pse prindërit disa herë kanë alarmuar për rrezikun me të cilin përballen fëmijët, gjendja vazhdon të mbetët e njëjtë.

Valdet Raka kryetar i këshillit të prindërve tregon për RTK-në se kanë zhvilluar takime edhe me zyrtar komunal, por ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete.

Ndërsa, zyrtarë nga Komuna e Kaçanikut, këtë gjendje e arsyetojnë duke thënë se është projekt i ministrisë së infrastrukturës dhe ‘Infrakosit’. Sipas tyre buxheti i limituar i komunës, ua pamundëson që të bëjnë ndërhyrje këtu.

Në anën tjetër nga ‘Infrakos’ theksojnë për RTK-në se rehabilitimi i kësaj linje hekurudhore bëhet bazuar në linjën ekzistuese duke e përfshi ndërrimin e materialeve të shtresës se ulët, të mesme dhe të lartë, ndërsa projekti nuk e parasheh ndonjë plan të nënkalimit apo mbikalimit.

Sipas tyre komuna është ajo e cila i parasheh planet e saja urbanistike. Normalisht kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Hekurudhat e Kosovës në mënyrë që ‘Infrakosit’ t’i paraqes kushtet teknike, që mos të rrezikohen lëvizjet në komunikacionin hekurudhor.

E nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Sabedin Vishi theksoi për RTK se nëse nuk ndërmerret asgjë nga Ministria e ‘Infrakos’ atëherë do të ndërhyjë Komuna.

Derisa Komuna, Ministria e infrastrukturës e Infrakos të merren vesh se kush duhet të ofroj siguri për nxënësit, ju mbetët prindërve ende të vazhdojnë të kujdesën për ta.