Rruga në Prishtinë e lënë pas dore, është shndërruar në deponi mbeturinash

Rruga që të shpie tek Qendra e Panaireve, nga fshati Shkabaj në Prishtinë, në drejtim të Bërnicës së Epërme, shihet se është e lënë pas dore, duke u shndrruar në deponi të mbeturinave.
Kjo rrugë shfrytëzohet nga persona të papërgjegjshëm, që hudhin mbeturina të ndryshme, kryesisht mbetje inerte, në atë pjesë, shkruan Indeksonline.

Këto mbeturina që shpesh bëhen pengesë edhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve, japin një imazh të keq edhe për vizitorët e Qendrës së Panaireve, ku shpeshherë organizohen panaire të ndryshme.

Madje rruga e asfaltuar ka mbetur në gjysmë, duke vështirësuar qarkullimin e banorëve të zonës, që detyrohen të shfrytëzojnë rrugë alternative për qarkullim.

Me gjithë trumbetimin e Komunës së Prishtinës se do ta asfaltojnë rrugën “Agim Osaj” dhe rrugën “Balshajt”, ende nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Madje vështirë po e kanë edhe bizneset që operojnë në atë zonë, që po hasin në vështirësi ta zhvillojë veprimtarinë e saj, e sidomos kur ka reshje të shiut apo të borës, ata detyrohen që ta pastrojnë vetë rrugën për të mundësuar qarkullimin.

Kujtojmë që kjo pjesë e Prishtinës, në planin komunal, është e dedikuar për të qenë Zonë Ekonomike, por që është lënë totalisht pas dore, duke i pamundësuar investimet eventuale vendore apo të huaja. /Indeksonline/

