22:34 / E Martë, 30 Tetor 2018

Rrugë e vështirë për heqjen e vizave

Në dhjetor kur pritet të mbahet Këshilli i Ministrave mund të mos votohet fare për liberalizimin e vizave ashtu siç edhe është paralajmëruar më parë.

Vetë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, javën e kaluar paralajmëroi se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet.

Njohësi i çështjeve evropiane, Avni Mazreku thotë se kjo gjë tregon edhe njëherë se nuk duhet të bazohemi në të dhënat e institucioneve të Kosovës, sidomos të deklaratave të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, pasi, sipas tij, shpesh herë është karakterizuar për deklarata kontradiktore.

Për këtë arsye, ai thotë se nuk duhet të jepen më qëndrime sa i përket afateve kohore, pasi kjo gjë nuk varet nga Kosova.

“Nuk duhet të bazohemi në deklaratat e dhëna nga institucionet e Kosovës, sidomos në Ministrinë e Integrimeve Evropiane për shkak se që një kohë të gjatë e kanë karakterizuar disa deklarata shumë kontradiktore prandaj duhet të rezervohen dhe të kuptojnë se nuk mund të japin qëndrime sa i përket afateve kohore kur nuk varet nga shteti jonë. Çështja e marrjes së vendimit final për Kosovën varet krejtësisht nga qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së dhe qëndrimi i shteteve nuk mund të parashikohet. Prandaj duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë çështje dhe të rezervohen nga deklaratat e pamatura me të cilat i kanë ushqyer shpresat e njerëzve dhe qytetarët tani ndihen edhe të zhgënjyer”, ka thënë Mazreku për Indeksonline.

Sipas tij, njëra nga arsyet e rrezikimit të mos-votimit të liberalizimit të vizave në këtë vit, është se Qeveria e Kosovës nuk e ka pasqyruar drejt se si qëndron raporti i Kosovës me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, sipas Mazrekut, institucionet e vendit nuk e kanë kuptuar drejt se si funksionon BE dhe rrjedhimisht edhe politikat e tyre nuk kanë qenë efektive.

“Njëra nga arsyet është se Qeveria e Kosovës nuk e ka pasqyruar drejt se si qëndron raporti i Kosovës me Bashkimin Evropian. Raporti i Kosovës me BE është i paqartë për shkak se janë pesë shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe mënyra se si merret vendimi në Bashkimin Evropian është e tillë që nuk mund të parashikohet, nuk mund të pritet asnjë vendim politik për Kosovën në mungesë të mosnjohjes nga ana e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në cilin do kontest kur flasim për një vendim politik për Kosovën ajo është një situatë e paparashikuar për shkak se BE nuk ka një pozicion të qartë në lidhje me këtë çështje. Arsye tjetër është se Institucionet e Kosovës nuk e kanë kuptuar mirë apo drejt se si funksionon BE dhe rrjedhimisht edhe politikat e tyre nuk janë që kanë qenë efektive”, ka shtuar ai.

Mos njohja e pesë vendeve të Bashkimit Evropian mund të lidhet me finalizimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova thotë se çështja e liberalizimit të vizave do të ndërlidhet me çështjen e negociatave me Serbinë, edhe pse kjo gjë nuk thuhet.

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka thënë se kjo gjë nuk po përmendet pasi BE po i druhet ndonjë “mase” të madhe kosovarësh të cilët dramatikisht mund të nisen drejt vendeve të BE-së dhe kjo do të nxiste ndryshimin e qëndrimit kundër Kosovës.

“Unë besoj se çështja e liberalizimit të vizave do të ndërlidhet me çështjen e negociatave me Serbinë, edhe pse kjo nuk do të thuhet. Por si duket BE i druan ndonjë “mase” të madhe kosovarësh të cilët dramatikisht mund të nisen drejt vendeve të BE-së dhe sado i vogël të jetë numri i azilkërkuesve kjo mund ta prishte imazhin e Kosovës dhe t’i nxiste partitë e djathta ekstremiste të radikalizojnë qëndrimin kundër Kosovës, qoftë në proceset integruese, por edhe në procesin e presionit për njohje nga Serbia. Pra, në një farë mënyre, BE do ta përdorë liberalizimin si formë presioni për t’i intensifikuar bisedimet me Serbinë dhe nevojën për të arritur marrëveshje sa më parë mes dy vendeve”, ka thënë Sallova.

Ndryshe, megjithëse Parlamenti Evropian ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave, është Këshilli i Ministrave apo shtetet veç e veç që do të vendosin nëse Kosova do fitojë udhëtimin pa viza apo ajo./Indeksonline/