75 Mall Live Search
18:10 / E Shtunë, 04 Janar 2020 / indeksADMonline

Rrugët e Kosovës shndërrohen në ‘Drag Race’, kosovarët merakli të garave ilegale

Disa herë në vit mbahen garat e organizuara në ‘Drag Race’ mirëpo kjo duket se nuk po ju mjafton kosovarëve.

Në disa grupe të hapura në rrjetet sociale bëhen ftesa të shumta për gara, e të cilat janë ilegale dhe madje edhe rrezikojnë të tjerët. Në këto postime shihet se si bëhen ‘mburrje’ nga vozitësit për shpejtësinë e veturave të tyre madje në këto grupe postohen edhe video të garave.

Shumica e këtyre garave bëhen në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ më konkretisht këta ‘garues’ vendin po e quajnë ‘Te urat’, po ashtu garat sipas informatave të siguruara nga IndeksOnline po bëhen edhe në rrugën B në Prishtinë dhe rrugës për në Veternik, të cilat zakonisht bëhen në orët e vona të mbrëmjes.

Për këto gara ka folur për indeksOnline edhe eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj i cili tregoi se këto gara paraqesin rrezik të lartë për shkak që mundësia që të ndodhin aksidente është më e madhe.

Po ashtu sipas Dedajt fajtor për këtë janë edhe institucionet për shkak që nuk kanë krijuar poligonin e sigurisë.

 “Garat ilegale apo garat me automjet të pa mbikqyrura nga institucionet përkatëse paraqesin rrezik të nivelit të lartë dhe mundësia e ardhjes deri te aksidentet është i madh, me qen se rinia kanë energji për të drejtuar automjetet me shpejtësi të mëdha dhe deri te garat e paligjshme vijnë për shkak se instutucionet e sigurisë rrugore nuk kanë krijuar poligonin e sigurisë ku këta persona do të bëjnë gara në mënyrë të kontrolluar nga personeli profesional” tha eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj./Indeksonline/.