Rrugëtimi i shqiptarëve në Eurovision

Eurovision Song Contest 2021 është edicioni i 65-të me radhë, i cili kësaj radhe po mbahet në Holandë. Garë kjo që arrin të grumbullojë rreth 200 milionë shikues për çdo vit nga e gjithë bota. E, në të cilën kësaj radhe finaliste është edhe Shqipëria.
Historia e Shqipërisë me Eurovisionin fillon që nga viti 2003, ndonëse kishte të drejtë të mirrte pjesë shumë më herët në festivalin evropian të këngës. Gjithsesi, RTSH kishte aplikuar vetëm në vitin 2003 për pjesëmarrje.
E, deri tani Shqipëria numëron pjesëmarrjen e 18-të në Eurovision, dhe që nga debutimi në vitin 2004 nuk është tërhequr asnjëherë nga ky festival.
Rrugëtimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në garën më të madhe të muzikës evropiane “Eurovision”, nuk ka qenë “fushë me lule”.
Shqipëria debutoi në “Eurovision” në vitin 2004 ku nikoqir ishte Turqia. Kënga shqiptare ishte pritur mjaft mirë, si përfaqësuese e shtetit debutues, Anjeza Shahini dhe kënga e saj “Image of You”, ishte vlerësuar mirë nga publiku evropian duke u radhitur e 7-ta në finalen e madhe.
Një vit më vonë, Shqipëria u përfaqësua nga Ledina Çelo, e cila falë rregullave të atëhershme të festivalit dhe suksesit të Anjezës, ishte direkt në finale, kënga me ritme shqiptare, si duket nuk u përshtat mirë me gjuhën angleze dhe nuk arriti të hynte në top 10. Kënga e Ledinës e cila quhej “Tomorrow I Go”, në finale përfundoi e 16-ta, duke marrë vetëm 53 pikë.
Viti 2006 nuk solli shumë ndryshime në krijimtarinë artistike të Shqipërisë, ku zhanri i këngës nuk ndyshoi fare. Një këngë e stilit folk u ngjit në skenë bashkë me gjuhën e kostumet shqiptare.
“Zjarr e Ftohtë” nga Luiz Ejlli ishte përfaqësues për Shqipërinë atë vit. Gjithsesi kjo këngë nuk arriti të ndezë fare publikun evropian, duke dështuar të kualifikohet edhe në finale.
Frederik Ndoci, që nga fillimet e tij, është vlerësuar nga artistët dhe ekspertët e muzikës shqipe si një artist i talentuar dhe i suksesshëm. E duke e vlerësuar si të tillë, Shqipëria ia kishte besuar përfaqësimin në Eurosong 2007.
Por si duket fati i Luiz Ejllit e ndoqi edhe Ndocin, pasi kënga “Hear My Plea” nuk u vlerësua me pikë të mjaftueshme sa për t’u dëgjuar edhe njëherë në finale.
Viti 2008 ishte një periudhë emocionuese për shqiptarët me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e njëkohësisht në Serbi gjendja politike kishte filluar të tensionohej. E po këtë vit, Beogradi ishte nikoqir i festivalit në të cilin Shqipëria u përfaqësua më një këngë të kënduar shqip.
Këngëtarja Olta Boka këndoi “Zemrën e lamë peng”, dhe pas dy viteve dështimi, Shqipëria arriti të shkonte në finale, edhe pse kënga mbeti e 17-ta me 55 pikë.
Moska ishte nikoqirja e radhës që organizoi Eurovisionin e vitit 2009, e në të cilin Shqipëria përfaqësohej nga një vajzë e re 17-vjeçare.
Kejsi Tola me këngën “Carry me in your dreams”, preku finalen, por koreografia e këngës ishte një nga më të përfolurat, pasi që në shumë media të asaj kohe u përqesh.
Si duket 17 ishte numri i Shqipërisë, e cila përsëri mori këtë renditje me 48 pikë.
Tutje, për të tretin vit radhazi, Shqipëria siguroi finalen me përfaqësimin e Juliana Pashës dhe këngës “It’s all about You”. Por as ky vit nuk e ngriti Shqipërinë shumë në pozitë, pasi “It’s all about You” përfundoi e 16-ta me 62 pikë.
Një vit më vonë, përfaqësimi i Shqipërisë nga Aurela Gaçe dukej se kishte ngjallur shpresat te shqiptarët për një sukses në garën evropiane të këngës.
Por fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Kënga “Feel the passion” nuk arriti të kalojë as në finale.
Eurosong 2012 dukej se ishte një vit më i mbarë për Shqipërinë. Kësaj radhe ekspertet në “Festivalin e Këngës” zgjodhen Rona Nishliun si përfaqësuese.
E, aso kohe me zgjedhjen e saj, menjëherë kishin filluar ‘sulmet” e skeptikëve për një sukses të mundshëm në Evropë, kënga “Suus” nga shumë u cilësua si aspak e denjë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.
Kjo ishte hera e parë që një këngëtar nga Kosova po ngjitej në skenën e Eurovision-it, e bashkë me të gjitha emocionet, Rona, arriti të bënte historinë duke i dhënë Shqipërisë suksesin më të madh, ku u radhit e 5-ta me 146 pikë, sukses ky i cili vazhdon të jetë më i larti për të.
Për dallim nga viti paraprak, më 2013 Shqipëria u prezantua nga një grup Rock i Adrian Lulgjurajt dhe Bledar Sejkos me këngën “Identitet”. Kjo këngë kishte elemente rock-u me elemente folk, por si duket nuk ishte e mjaftueshme që publiku evropian ta pëlqente, e kështu edhe kjo dyshe dështoi të listohej në finale.
“Fati i zi” si duket e përcolli vendin edhe më 2014, ku këngëtarja Hersi Matmuja, si duket nuk kishte zgjedhur këngën e duhur për t’i rrëmbyer zemrat e evropianëve. “One Night’s Anger” u këndua vetëm në gjysmëfinalen e parë.
Kënga përfaqësuese e vitit 2015 “I’m alive” aso kohe i kishte rrëmbyer zemrat e shqiptarëve. Por Elhaida Dani si duket i zhgënjeu të gjithë me paraqitjen Live, pasi askush nuk e kishte pritur që zëri i saj të kishte luhatje vokale gjatë peformancës e veçanërisht nga një këngëtare e cila kishte fituar garën e “The Voice” në Itali.
E, edhe atë vit Shqipëria u radhitë e 17-ta me vetëm 34 pikë.
“Fairytale” nga Eneda Tarifa, ishte përfaqësuesja e vitit 2016, e cila nuk është pritur aspak mirë në versionin e saj në gjuhën angleze.
Ndonëse u vlerësua nga kritika dhe profesionistët për vokalin e saj, Eneda nuk arriti ta dërgojë në finale vendin e saj.
Më 2017, Lindita Halimi u zgjodh për të prezantuar vendin me këngën “World”. E arritjet për të ishin të pritura për shkak të suksesit të saj në “American Idol”. Gjithsesi kjo nuk ndodhi, pasi kënga “World” nuk mori votat e mjaftushme, duke performuar vetëm në gjysmëfinale.
Shqipëria u përfaqësua në vitin 2018 nga Eugent Bushpepa, për të 15-tën herë në këtë kompeticion. Bushpepa arriti të kalojë në finalen e kësaj gare dhe zuri vendin e 11-të.
Një vit më vonë, këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi mbushi skenën e “Eurovizion 2019” në Tel Aviv të Izraelit me zërin e saj dhe me sa duket përkushtimi i saj ishte shpërblyer duke kaluar në finalen e Eurosong.
ënga e saj “Ktheju Tokës” me të cilën ajo fitoi Festivalin e 57-të të Shqipërisë arriti të mblidhte 90 pikë në finale e përsëri u radhitë e 17-ta.
E me fillimin e pandemisë më 2020 nuk dihej për fatin e Eurosong-ut. Përfaqësuese e Shqipërisë për këtë vit ishte Arilena Ara me këngën “Fall from the Sky”. Gjithsesi Eurovisoni i cili do të mbahej në Holandë u anulua për shkak të virusit COVID-19.
E ky rrugëtim na sjellë në Eurosong 2021, garë e cila është duke u mbajtur tani në shtëpinë nikoqire, Holandë. Kësaj radhe Shqipërinë po e prezanton Anxhela Peristeri me këngën “Karma” me të cilën mbrëmjen e kaluar u kualifikua për në finale.