15:03 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Rrustemi: Skenari i PLAN-it kishte nisur më 7 tetor të vitit të kaluar

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se skenari i partive opozitare për formimin e Qeverisë ka filluar që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Ai thotë se ky skenar ka filluar nga dita që kur Nisma Socialdemokrate, e Fatmir Limajt, përpëlitej për ta kaluar pragun zgjedhor.

Rrustemi ka folur edhe për koalicionin me LDK-në, ku, sipas tij, partia e Isa Mustafës dhe e Agim Veliut nuk e kishin dashur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.

Postimi i plotë i Rrustemit:

Pragu i PLAN-it mban datën 7 tetor

KY SKENAR KISHTE NISUR TË SHFAQEJ QË MË 7 TETOR, NJË DITË PAS ZGJEDHJEVE, kur NISMA le të themi sikur përpëlitej nën prag.

Për të gjithë ata që kanë përcjellë nga afër e nga larg zhvillimet politike së paku nga 6 tetori në mbrëmje, kur lajmi se Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte fituar zgjedhjet mori dhenë, e sidomos nga dita pasuese, e kanë të qartë se kjo që po ndodh aktualisht e ajo çfarë ndodhi me mocionin e mosbesimit, nuk është asgjë tjetër veçse një moment i planifikuar e i orkestruar në mes të Thaçit dhe disa prej drejtuesve të LDK-së. Shfaqja u pa, por ishte vonuar për disa muaj, penjtë e të cilit ishin lëvizur së paku nga 7 tetori në KQZ, nëse jo edhe para ditës së zgjedhjeve.

Se LDK e Isa Mustafës dhe e Agim Veliut, nuk e kishte dashur koalicionin me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, tashmë nuk ka asnjë dyshim. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Kundërshtimit të këtij koalicioni ia kalonte vetëm një dëshirë e synim, e ajo ishte dëshira për ta bërë një koalicion që e linte LVV-në jashtë qeverisë, kurse e mbante në pushtet PAN-in. Një gjë e tillë, më shumë se sa dëshirë ishte PLAN, plan që mbahej mbi supet e Hashim Thaçit për ta pamundësuar qeverisjen e Lëvizjes dhe Albin Kurtin kryeministër.

Që të ndodhte kjo, pas 6 tetorit, ishin dy opsione. Që të dy opsionet do të kishin Thaçin kumbarë. Opsioni i parë, më i dëshiruar, por më pak i mundshëm për shkak të presionit publik mbi LDK-në, ishte një koalicion në mes të LDK-së dhe PDK-së, ku Thaçi do të dekretonte një kandidat nga LDK për kryeministër, por kurrsesi Vjosa Osmanin, kuurse për vete Thaçi do të siguronte edhe një mandat si president dhe mbi të gjitha do të siguronte terren për të vazhduar me skenarin e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë dhe ndarje të Kosovës. Opsioni i dytë, më i vështirë për nga matematika e menaxhimi politik, por shumë më i volitshëm për LDK-në që të menaxhojë presionin publik, ishte një koalicion formal në mes të LDK-së, AAK-së dhe NISMËS, si dhe me Listën Serbe përcaktuese, ku PDK do të ishte aty realisht por nuk do të ishte pjesë formalisht. Duket sheshit se ky skenar me dy opsione ishte konkretizuar në mes të Thaçit dhe Isës që para zgjedhjeve, por po prisnin rezultatin. Këtyre dy opsioneve iu shfaqen në rrugë dy pengesa të mëdha. Së pari, ishte fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila si fituese e zgjedhjeve rezervonte të drejtën për të krijuar Qeverinë, kurse pengesa e dytë jo më pak e vogël, ishte moskalimi i pragut nga Nisma Socialdemokrate.

Pengesës së parë, fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kishin çfarë t’i bënin, paçka se me tërë qenien u angazhuan që t’ia pamundësojnë e vjedhin atë. Kurse për pengesën e dytë, do të shfrytëzonin çdo mekanizëm formal e jo formal për të tejkaluar. Sipas Thaçit e Isa Mustafës, NISMA duhej që ta kalonte pragun.

Atëbotë, mund mos ta dinim qartë se cili ishte caku, por nuk kishte asnjë dyshim për koordinimin në mes të tyre për ta futur Nismën në Kuvend. Si asnjëherë më parë, dita pas natës së 6 tetorit ishte tërësisht tjetër. Tjetër ishte edhe për qytetarët, sepse kishte fituar Lëvizja, por për Thaçin dhe LDK-në dhe Veselin, ishte ditë tjetër në kuptimin e ujdisjes së PLANIT në rrethana të reja. Duket se nata e 6 tetorit ka qenë nata më e gjatë e jetës së tyre. Deri më 6 tetor, si anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si opozitë e deridjeshme koordinoheshim me përfaqësuesit e LDK-së në KQZ, Sami Hamitin e Salih Morinen. Madje, edhe me 6 tetor kishim koordinim. Koordinimi në ditën e zgjedhjeve sidomos, qartazi ka qenë i motivuar nga ana e LDK-së, duke qenë të bindur ata se LDK do të dilte fituese e zgjedhjeve. Se do të fitonin dhe po fitonin ma kishin thënë edhe vetë gjatë tërë asaj dite. Fort kanë besuar se do të fitojnë. Po kaq fort pastaj kanë bashkëpunuar me Thaçin për të pamundësuar qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Gjithçka ishte ndryshe në KQZ nga 7 tetori. Tanimë, përfaqësuesit e LDK-së në KQZ jo që nuk koordinoheshin me ne si opozita e deridjeshme e si qeverisja e ardhshme, por ndodhte e kundërta. Përfaqësuesit e LDK-së ishin në një pikë me përfaqësuesin e PDK-së në KQZ. Ata kishin ndarë rolet. Plani i Thaçit dhe Isait duhej të ishte i sofistikuar. Jo vetëm se ishte kriminal në brendësi e formë, por edhe se LDK do të duhej të ruante duke manipuluar votuesit e saj.

Si opozitë e deridjeshme, e si qeverisje e përbashkët e ardhshme e manifestuar hapur në fushatën parazgjedhore, raporti ynë do të duhej të ishte i kundërt. Do të duhej të kishim edhe më shumë koordinim kundër PDK-së e PAN-it. Në KQZ presupozohet se as nuk lejohet ndërhyrja e as nuk mundësohet ndikimi. Aty, do të duhej të mbrohej vullneti i votuesve ashtu siç kanë votuar qytetarët. Ky ka qenë misioni i LVV-së në KQZ. Por politikisht, çfarë interesi do të kishte LDK që NISMA-AKR të kalonte pragun, kur dihej se hyrja e tyre, dobësonte koalicionin e ardhshëm të supozuar LVV-LDK. Qëllimi ishte pikërisht ky. Të dobësohej deri në pamundësim.

Nga 7 tetori, KQZ-ja u paralizua si institucion në marrjen e vendimeve. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që KQZ të mos kishte mundësi që të marrë vendime edhe për çështjet që për nga aspekti opercional ishin teknike. Kjo ndodhte, sepse LDK dhe PDK ishin bërë bashkë tashmë në qëndrime dhe interesa, kurse NISMA në Kuvend ishte emëruesi i tyre i përbashkët. NISMA që nuk kishte formalisht përfaqësues në KQZ, nga 7 tetori ishte përfaqësuar nga dy anëtarët e LDK-së, Sami Hamiti dhe Salih Morina, më mirë se sa po të kishte përfaqësuesin e saj.

Vetëm një ditë pas ditës së zgjedhjeve, të gjitha këto subjektet politike që sot janë bërë bashkë kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE! kishin kërkuar rinumërimin e të gjitha votave. Pretekst kishin një gabim në formular me rubrikat e vendosjes së votave. Ky gabim në formular, me qëllim apo jo, që asnjëherë nuk u hetua dhe nuk u vërtetua se si kishte ndodhur, kush e kishte bërë dhe mbi të gjitha kujt i shërbente. As sot e kësaj dite, nuk ka një epilog nga hetuesia për këtë çështje. Nëse jo për tjetër, për dëmin financiar të shkaktuar ndaj institucionit, do të duhej të kishte përgjegjësi.

Për të vazhduar pastaj përditë, në mbledhje e jashtë saj. Në QNR e në media, në PZAP e nëpër Gjykata. Këta kishin vetëm një synim, se si ta dobësonin Lëvizjen dhe se si ta kalonin Nismën në Kuvend.

Sa herë që ishim në QNR, gjatë rinumërimeve të shumta e të gjata, përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së, kishin vëmendjen vetëm se çfarë po ndodhte me Nismën. Hyri apo nuk hyri. Pa u lëshuar në teknikalitete, por edhe deri tek rastet e vlerësimit të fletëvotimeve kontestuese, ishin aty për t’i bërë të pavlefshme. Qofshin edhe të partive të tyre, sepse kjo i shërbente Nismës Socialdemokrate. Sa herë që ishin në QNR më së paku ishin për votat e subjektit të tyre, e më së shumti e zakonisht për Nismën, gjendjen ditore të saj për ta njoftuar pastaj Fatmir Limajn dhe Bexhet Pacollin. Të sinkronizuar ishin në KQZ e në media edhe kur bëhej fjalë për mospranimin e votave të ardhura nga mërgata. Si LDK dhe PDK nuk kishin lënë gurë pa lëvizur kundër pranimit të këtyre votave të ligjshme e legjitime. Ndërsa për rastin e Runikut, anëtarët e LDK-së në KQZ kishin ndryshuar qëndrimin dhe votimin brenda pak ditëve. Herën e parë, kur vlerësonin që i leverdiste Nismës, kishin votuar për mosanulimin e tyre, kurse herën e dytë, kur Nismës i leverdiste anulimi për të kërkuar rivotim me planin se do të blinin aq sa ju duheshin për prag, kishin votuar për anulim me kërkesën për rivotim. Pyetje legjitime sërish, çfarë i duhej LDK-së rivotimi në Runik të Skenderajt?!

Kur nuk arritën që ta kalojnë Nismën në QNR me numërime e rinumërime, e pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, dukej se plani i tyre po dështonte. Por, jo. Vetëm duhej të kalonin në një fazë tjetër, të gjenin një mundësi tjetër. Dhe mundësia ishte tek fletëvotimet e ardhura nga Serbia. Pakot e helmuara që u proceduan nga KQZ nën masa ta larta të sigurisë, diçka si këto pamjet e përballjes më COVID-19. Edhe kjo çështja e helmit në këto pako asnjëherë nuk u zbardhë. Sado raportimeve se janë marrë mostrat, janë dërguar jashtë vendit për analiza, policia dhe prokuroria e Kosovës asnjëherë nuk doli as publikisht dhe as zyrtarisht nuk e ka njoftuar KQZ-në se çfarë kishte në këto fletëvotime.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, Nisma kishte mbetur jashtë Kuvendit. Që të hynte në Kuvend duhej veprime shtesë. Rruga kësaj here ishte duke anuluar aq vota sa i duheshin Nismës për të hyrë në Kuvend. 3104 vota duhej të hiqeshin nga rezultati përfundimtar që Nisma të bëhej pjesë e Kuvendit për 19 vota. Për ta bërë këtë, duheshin tre hapa. Hapi i parë, marrjen e pëlqimit të Beogradit dhe të Listës Serbe, që ajo të heshte pas anulimit të këtyre votave. Asnjëherë nuk u mor vesh se sa kishte kushtuar heshtja e Beogradit dhe e Listës Serbe, që për ndryshe në një rast tjetër do të bëhej skandal ndërkombëtar deri në mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Hapi i dytë ishte, të gjendeshin gjyqtarë në PZAP që do të anulonin këto vota, kurse hapi i tretë ishte që krijon aq sa mundnin një opinion për anulimin e tyre, e për këtë do të duheshin një seri emisionesh të sponzorizuara për Fatmir Limajn dhe disa thirrje të figurave të caktuara. Për të tre hapat u gjenden personat, u gjetën kundërvlerat, kurse Thaçi ishte hija e tërë këtij skenari.

Ndërkohë, jemi në muajin prill, kur më shumë se sa kuptimsimi, kjo çfarë po bënë Isa dhe Hashimi është kthimi i kriminelit në vendin e krimit. Gjithçka po shpaloset, shumë më shpejtë se sa ishte menduar. Me një intermexo të shkurtër në mes, por plot domethënie, qeverisjen nga 3 shkurti deri tani. E qartazi, PLANI ka edhe një fazë, ka edhe një ndërhyrje, e ajo është se si ta arrijnë kapërcimin e Kushtetutës për t’ia vjedhur Lëvizjes VETËVENDOSJE! të drejtën e krijimit të qeverisë.

PLAN ka, por ka dhe Popull. Le të shohim si dalin llogaritë, në fund. Një gjë dihet sigurt, plane pa popull askush s’ia ka dalë dot të jetësojë.