Rrustemi: VV-ja, e gatshme për koalicion qeverisës me Nismën

Adnan Rrustemi nga VV-ja thotë se kanë shprehur gatishmëri me Nismën për partneritet qeverisës.
Ai në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, deklaroi se koalicionet bëhet për qeveri, e jo për parlament.
“Ne jemi këtu qe 47 seanca. VV-ja me të drejtë beson se është në qëndrimin e drejtë edhe kushtetues edhe politik. Me Nismën ne kemi shprehur gatishmërinë për partneritet qeverisës, koalicionet bëhen për qeveri, nuk bëhen koalicionet për parlament. Ky qëndrim është i VV-së, ka qenë në fillim dhe vazhdon të jetë. Nuk është çështja te çbllokimi. Nuk bëhen koalicionet për çbllokim, koalicionet bëhen për ndërtimin e mazhorances qeverisëse. Është e pashembullt, ne mendojmë politikisht – ne i kemi ofruar Nismës partner qeverisës, jemi të interesuar për të bërë koalicion për të bashkëqeverisur në këtë mandat”, tha ai.
Rrustemi tha se nëse qeveria nuk arrin të krijohet brenda afateve të caktuara, atëherë Kosova do të ballafaqohet me zgjedhje të parakohshme.
“Nëse qeveria nuk krijohet në dy afatet e përcaktuara të dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese… vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Opozita nuk po do as qeveri fuqiplotë të VV-së, e as zgjedhje të parakohshme dhe po e mban VV-në – qeveri në detyrë, në dorëheqje. Pse kemi ne sot qeveri me kompetenca të kufizuara, një qeveri në dorëheqje është se pikërisht po do opozita”, deklaroi ai./Indeksonline/