75 Mall Live Search
15:25 / E Diele, 18 Janar 2026 / b l

“Rryma nuk është luks”, banorët e fshatit Koliq protestojnë dhe kërkojnë intervenime nga KEDS-i

Banorët e fshatit Koliq kanë protestuar te trafoja e fshatit për ndërprerjet e energjisë elektrike me të cilat, siç thanë ata, po përballen prej vitesh. Nga protesta u theksua se këto ndërprerje kanë shkaktuar dëme në shtëpitë e tyre por dhe në shkollë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i fshatit Koliq, Bedri Hajzeri, paraqiti kërkesat, derisa bëri të ditur se i gjithë Gollaku po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike.

“Kjo protestë vjen për arsye se disa herë kemi bërë kërkesa, kemi përsëritur kërkesat te kompanitë përgjegjëse të KEDS-it dhe deri më tash nuk kanë ndërmarrë asgjë për furnizimin e rregullt me energji elektrike në Koliq. Ky është një problem që po e theksoj për fshatin Koliq, por ky problem na përcjell gjithë Gollakun dhe jeni në dijeni se edhe më herët kemi pasur organizime të tilla. Mirëpo, ne si fshat e kemi pasur të tepërt që sa herë organizohemi me kërkesa dhe i drejtohemi KEDS-it, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje prej tyre. Konkretisht e kam fjalën për këtë organizim, ku shumica janë nga lagjja Ahmetaj, por proteston i gjithë fshati”, tha ai.

Hajzeri përmendi dëmet që po shkaktohen si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke veçuar edhe ndërprerjet e procesit mësimor.

“Është një lagje që është në zhvillim e sipër, janë ndërtuar shumë shtëpi dhe vila, dhe rrjeti elektrik nuk ka kapacitet t’i furnizojë, duke filluar nga shtyllat, kabllot dhe trafoja. Andaj kërkesa jonë është që të intervenohet në rrjetin elektrik, sepse po kemi dëme të mëdha. Rasti i fundit ishte kur rryma ka qenë aq e dobët sa ndriçonte vetëm një llambë e vogël dhe banorët kanë thirrur në KEDS dhe kanë kërkuar që të ndalet rryma, sepse të gjitha pajisjet ishin afër djegies dhe kishte rrezik që edhe shtëpitë të digjeshin. Sa i përket dëmeve në amvisëri, kemi pasur shumë, duke filluar nga televizorët e frigoriferët. Problem tjetër në fshatin Koliq është edhe shkolla, sepse sa herë që ndalet rryma ne duhet ta ndërpresim procesin mësimor, pasi ngrohja është me pelet dhe funksionon me energji elektrike. Çdo herë këto reduktime dhe ndalje pa vend po na shkaktojnë dëme. Kërkesa jonë është që të ndërrohen këto shtylla të vjetra, që janë gjysmë shekulli, të ndërrohen kabllot dhe, aty ku ka nevojë, si në lagjen Ahmetaj, të ndërrohet edhe trafoja me një kapacitet më të madh”, tha ai.

Banorja e fshatit, Xhevahire Beqiri, theksoi se për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike bizneset po pësojnë humbje.

“Ne si komunitet jemi mbledhur sot për të protestuar për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike. Ne si banorë të fshatit nuk pranojmë të mbetemi pa shërbime bazike për të jetuar dhe punuar. Kërkesa jonë u është drejtuar institucioneve përgjegjëse që të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike, sepse tanimë Koliqi është një fshat turistik dhe po pëson humbje të mëdha ekonomike, duke përfshirë prishjen e pajisjeve elektrike sa herë që ndalet rryma. Për më tepër, edhe vizitorët po largohen, pasi nuk po mundemi t’u ofrojmë shërbimet bazike për të vizituar këtë vend”, tha ajo.