75 Mall Live Search
14:35 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / KV

RTK-ja sqaron largimin e disa moderatorëve nga ekrani: “Janë redaktorë, jo moderatorë”

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka reaguar pas polemikave për mosangazhimin e disa redaktorëve si moderatorë në emisione të ndryshme, duke sqaruar se vendimi është pjesë e një riorganizimi programor dhe nuk ka karakter ndëshkues.

Sipas njoftimit, RTK-ja është në një fazë avancimi programor e organizativ, me synim përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes dhe forcimin e kanalit informativ RTK3. Në këtë kuadër, janë ndërmarrë ndryshime menaxheriale, përfshirë dhe riorientimin e disa redaktorëve drejt detyrave që lidhen ekskluzivisht me redaktimin dhe mbikëqyrjen editoriale.

“Kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura. Detyrat e tyre janë të lidhura me redaktim, jo me moderim. Lirimi nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme”, thekson RTK-ja.

Menaxhmenti mohon pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional”, duke shtuar se redaktorët vazhdojnë të kenë liri editoriale dhe hapësirë për shprehje profesionale në programet e RTK-së.

Në reagim gjithashtu paralajmërohet se prononcimet e punonjësve në rrjete sociale me përmbajtje politike, ofenduese ose të papajtueshme me etikën profesionale nuk do të tolerohen dhe do të trajtohen sipas ligjit dhe rregulloreve të brendshme.

“RTK-ja mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, pavarësisë editoriale, objektivitetit dhe depolitizimit të plotë, duke garantuar përmbajtje cilësore për qytetarët e Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.