75 Mall Live Search
12:00 / E Shtunë, 20 Dhjetor 2025 / L A

Ruben Amorim reagon ndaj bluzës me mbishkrimin “Lirojeni Kobbie Mainoon”

Ruben Amorim ka reaguar lidhur me fanellën që mbante vëllai i Kobbie Mainoo gjatë barazimit 4-4 të Manchester United ndaj Bournemouthit.

Ylli i “Love Island”, Jordan Mainoo-Hames, u shfaq në tribunat e “Old “Trafford duke mbajtur një fanellë/bluzë me mbishkrimin “Free Kobbie Mainoo – Lirojeni Kobbie Mainoon”.

Ishte një gjest që tërhoqi shpejt vëmendjen, duke pasur parasysh kohën e kufizuar të lojës që mesfushori ka pasur këtë sezon.

Mainoo ka pasur një sezon të vështirë, duke startuar vetëm një herë në të gjitha kompeticionet, dhe përsëri nuk u përfshi në formacionin bazë kundër ekipit të Andoni Iraolës.

Ai u fut në fushë për 29 minutat e fundit, teksa United rikuperoi për të siguruar një pikë.

Në konferencën e tij për shtyp të premten, Amorim theksoi se incidenti nuk do të ndikojë te vendimet për përzgjedhjen e lojtarëve. Trajneri portugez tha:

“Jo, nuk ishte Kobbie që mbante fanellën, ai nuk do të startojë për shkak të fanellës dhe nuk do të jetë në stol për shkak të fanellës. Ai do të luajë nëse ne mendojmë se është njeriu i duhur. Nuk do të bëj asgjë ndaj Kobbie vetëm sepse dikush nga familja e tij bëri diçka”, tha ai.

Amorim gjithashtu theksoi se linjat e komunikimit mbeten të hapura: “Ai luajti shumë mirë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Zyra ime është gjithmonë e hapur, askush nuk ka shkuar atje këtë javë, kështu që gjithçka është normale”.

Suspendimi i Casemiros mund të hapë rrugën për Mainoo ndaj Aston Villas, edhe pse vazhdon spekulimi për një huazim të mundshëm në janar.

Megjithatë, besohet se United dëshiron ta mbajë 20-vjeçarin në “Old Trafford”, përveçse nëse vjen një ofertë e jashtëzakonshme