75 Mall Live Search
11:44 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / H F

Rubin: Thaçi në Rambuje tha se nëse s’e përdor fjalën “pavarësi”, do ta konsiderojnë tradhtar

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin në dëshminë në Hagë ka kujtuar fazat e vështira të negociatave ku përfshihej edhe Hashim Thaçi si përfaqësues politik i UÇK-së. Ai tha se në atë kohë nuk mund të bëheshin deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës, pasi qëllimi kryesor ishte shmangia e një masakre dhe gjetja e kompromisit mes fuqive të mëdha.

Rubin theksoi se diplomacia kërkonte bashkëpunimin e të gjithëve dhe jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, ndërsa në tavolinë ishte e nevojshme të gjendej “mesi i artë” mes kërkesave maksimale të UÇK-së dhe qëndrimit të rezervuar të ndërkombëtarëve.

Ai nënvizoi se Thaçi, ndonëse kishte rol politik, nuk ishte udhëheqës absolut i UÇK-së dhe nuk kishte kompetenca të plota.

“Po të nënshkruante pa fjalën pavarësi, do të quhej tradhtar,” tha Rubin, duke përshkruar presionin dhe vështirësinë e asaj kohe.

“Po. Ideja është që nuk mund të bëheshin deklarata specifike për pavarësinë, dhe ky ishte thelbi i diplomacisë. Ne donim që të mblidhej të gjithë. Ishte moment unik ky në histori ku shtetet e mëdha, po përpiqeshin të parandalonin një masakër. Për ta bërë këtë ne donim që fuqitë e mëdha të punonin së bashku. Jo vetëm Amerika. Ne nuk kishim qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Na duhej kompromis, përpjekje, të kalonim në fazën e radhës. Ai duhej të diskutonte me komandantët e UÇK-së, personat që kërkonin i donin të gjitha, diplomacia nuk mund të jetë perfekte, ne donim të gjenim mesin e artë. Ishte moment shumë i vështirë. Ai më shpjegoi se nuk ishte përgjegjës për këtë. Ishte personi që po komunikonte me ne sepse kishte rol politik në UÇK por jo udhëheqës, nuk kishte kompetenca, autoritet. Ishte pasqyrim i një lëvizjeje. Ata donin të konfirmohej se do të realizohej pavarësia. Po ta bënte këtë, po të nënshkruante pa fjalën pavarësi, do të quhej tradhtar”, tha Rubin në Hagë.

“Do të them dy gjëra për këtë. Një, ka qenë një mjedis me shumë presion. Kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet sepse fati i një milion personave ishte në fjalë. Nëse Lëvizja Kosovare ata do të përfaqonin perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre, për ndryshe do të ishte masakër. Dhe kjo krijoi një situatë shumë të tensionuar. Përshtypja ime aso kohe ishte se ai ishte një person që i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare. Ne se kishim kuptuar si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet, as s’kishte mundësi të diktonte asgjë, thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup. Kështu që ai duhej ta merrte lejen prej tyre, ai vet s’kishte mundësi. Kur donim të bënim diçka, ai duhej të komunikonte me persona të tjerë që t’i jepnin miratimin. Dhe ky momenti çonte në përçarje, pasi kishte persona që unë i quaj ekstremist, dhe të gjitha i donin “tani””.

“Kishte dhe persona më praktik siç ishte z.Thaçi dhe humbëm betejën sepse ne e bindëm delegacionin e shqiptarëve të Kosovës që këto sqarime dhe çështjen e pavarësisë ta sqaronin”.

“Përshtypjen për pushtetin e Hashim Thaçit ishte që ai thjesht mund ta pasqyronte vendimarrjen. Dhe ai më pas mund të vinte dhe u bashkua me pjesën tjetër të grupit për nënshkrimin e dokumentit. Dmth ai ishte një pasqyrim i udhëheqjes por jo personi përgjegjës në atë lëvizje”, tha Rubin në dëshminë e tij në Hagë.