Rubio: Banorët e Gazës dëshirojnë fundin e luftës, por nuk ka mbaruar ende

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha të dielën se lufta në Gaza nuk ka mbaruar ende, pavarësisht se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për pjesë të planit të presidentit Donald Trump për Rripin e Gazës, ndërsa banorët e Gazës kërkuan zbatimin e shpejtë të tij për t’i dhënë fund vuajtjeve të tyre.
“Do ta dimë shumë shpejt nëse Hamasi është serioz apo jo nga mënyra se si do të shkojnë këto bisedime teknike për sa i përket logjistikës”, tha Rubio në emisionin “Meet the Press” të NBC News në lidhje me lirimin e pengjeve nga Gaza.
Hamasi mori një përgjigje mikpritëse nga Trumpi të premten duke thënë se pranonte disa pjesë kyçe të propozimit të tij prej 20 pikash, duke përfshirë përfundimin e luftës, tërheqjen e Izraelit dhe lirimin e pengjeve izraelite dhe robërve palestinezë.
Por grupi la disa çështje për negociata të mëtejshme në bisedimet në Egjipt, si dhe pyetje pa përgjigje, të tilla si nëse do të ishte i gatshëm të çarmatosej, një kërkesë kyçe nga Izraeli për t’i dhënë fund luftës.
Negociatorët izraelitë do të nisen për në Egjipt sonte dhe negociatat për lirimin e pengjeve pritet të fillojnë të hënën, një ditë para përvjetorit të dytë të luftës, tha një zëdhënës i qeverisë izraelite, shkruan Reuters.