Rubio bën thirrje kundër aneksimit të Bregut Perëndimor

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se një veprim nga parlamenti i Izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor, do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
“Kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani”, tha Marco Rubio, përpara se të nisej për në Izrael, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të mbështetur një marrëveshje të brishtë armëpushimi, shkruan BBC-i.
Në një përpjekje të dukshme për të turpëruar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, politikanët e ekstremit të djathtë ndërmorën hapin simbolik të dhënies së miratimit paraprak për një projektligj që i jep Izraelit autoritetin për të aneksuar Bregun Perëndimor.
Palestinezët e pretendojnë Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, si pjesë të një shteti të pavarur.
Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pushtimi nga ana e Izraelit ishte i paligjshëm.
Netanyahu më parë ka folur në mbështetje të aneksimit të tokës së Bregut Perëndimor, por nuk e ka çuar përpara këtë çështje për shkak të rrezikut të armiqësimit me SHBA-në dhe vendet arabe, të cilat kanë ndërtuar marrëdhënie me Izraelin pas dekadash armiqësie.