Rubio: Ditët e ardhshme do të tregojnë nëse Putini është serioz për paqen në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha të dielën se në ditët e ardhshme do të përcaktohet se sa serioz është presidenti rus Vladimir Putin për paqen në Ukrainë, ndërsa zyrtarët amerikanë nisen për në Arabinë Saudite për takime me zyrtarët rusë.
Kryediplomati i Amerikës hodhi poshtë gjithashtu shqetësimet evropiane se janë përjashtuar nga bisedimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë në një intervistë me CBS se procesi i negociatave është ende në fazat paraprake.
Më herët të dielën, agjencia Reuters njoftoi se zyrtarët amerikanë u kishin dorëzuar zyrtarëve evropianë një pyetësor ku ndër të tjera kërkonin të dinin, se me sa trupa mund të kontribuonin për zbatimin e një marrëveshjeje paqeje.
Por, asnjë aleat evropian nuk ishte ftuar në Arabinë Saudite, ku zyrtarët rusë dhe amerikanë pritet të nisin bisedimet në fillim të javës lidhur me rrugët për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Presidenti Trump bisdeoi me Vladimir Putinin javën e kaluar dhe Vladimir Putin u shpreh i interesuar për paqen, ndërsa presidenti shprehu dëshirën e tij që t’i jepet fund konfliktit në një mënyrë të qëndrueshme dhe që ruan sovranitetin ukrainas”, tha Rubio në një intervistë për televizionin CBS.
“Natyrisht kjo duhet të pasohet me veprime konkrete, kështu që javët dhe ditët e ardhshme do të përcaktojnë nëse është diçka serioze apo jo. Në fund të fundit, një telefonatë nuk sjell paqen”, tha ai.
I dërguari amerikane për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, do të nisen për në Arabinë Saudite të dielën në mbrëmje, tha zoti Witkoff në një intervistë për Fox News më herët gjatë ditës.
Sekretari Rubio tha se ai ishte planifikuar gjithsesi të shkonte në Arabinë Saudite për shkak të një udhëtimi zyrtar në rajon.
“Përbërja e delegacionit rus ende nuk është finalizuar”, tha Rubio.