75 Mall Live Search
16:01 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / F.R

Rubio: E vështirë të arrihet një marrëveshje me Iranin

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio tha se arritja e një marrëveshjeje me Iranin mbetet e vështirë për shkak të strukturës ideologjike të udhëheqjes në Teheran, por theksoi gatishmërinë e Washingtonit për të ndjekur diplomacinë.

“Arritja e një marrëveshjeje me Iranin nuk është e lehtë”, tha Rubio në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, pas bisedimeve të nivelit të lartë në Budapest që u përqendruan në bashkëpunimin strategjik, energjinë dhe koordinimin gjeopolitik.

“Irani qeveriset nga klerikë radikalë shiitë të cilët marrin vendime politike në bazë të teologjisë së pastër”, pohoi ai.

Megjithatë, Rubio konfirmoi se Washingtoni është i përgatitur të vazhdojë angazhimin diplomatik.

“Ne gjithmonë kemi thënë se është e vështirë, por do të përpiqemi. Kjo është ajo që presidenti Donald Trump po përpiqet”, deklaroi Rubio.

Ai shtoi: “Sigurisht që nuk do të negocioj me Iranin këtu para konferencës dhe në skenë. Negociatorët tanë janë duke shkuar atje tani. Ata do të kenë takime. Do të shohim se çfarë ndodh”. “Presidenti gjithmonë preferon rezultatet paqësore dhe rezultatet e negociuara ndaj gjërave të ndryshme. Mendoj se ka një mundësi këtu për të arritur diplomatikisht një marrëveshje që adreson gjërat për të cilat jemi të shqetësuar”, përfundoi deklaratën Sekretari amerikan e Shtetit.