Rubio paralajmëron se ushtria amerikane do t’i vazhdojë operacionet kundër karteleve të drogës

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, e mbrojti të mërkurën sulmin e ushtrisë amerikane ndaj një varke të operuar nga një bandë e dyshuar venezuelase dhe paralajmëroi se sulme të tilla “do të ndodhin përsëri”.
Rubio tha se përpjekjet e mëparshme të Shteteve të Bashkuara për ta ndaluar fluksin e drogave të paligjshme drejt Shteteve të Bashkuara dhe më tej nuk kanë funksionuar.
“Ata ndalen vetëm kur t’i hedhësh në erë, kur t’i eliminosh”, tha Rubio gjatë një vizite në Meksikë, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i një operacioni më të madh të SHBA-së në rajon.
“Shtetet e Bashkuara e hodhën në erë [varkën] dhe kjo do të ndodhë përsëri. Ndoshta po ndodh tani”, tha Rubio në një konferencë për shtyp.
“Nëse ndodhesh në një varkë plot me kokainë ose fentanil, çfarëdo qoftë, e nisur drejt Shteteve të Bashkuara, atëherë je kërcënim i menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ushtria vrau 11 njerëz gjatë sulmeve të kryera më 2 shtator ndaj varkës nga Venezuela, që dyshohet se bartte narkotikë të paligjshëm.
Ky ishte operacioni i parë i kryer prej se administrata Trump dërgoi luftanije në jug të Karaibeve.
“Ka shumë drogë që po vjen në shtetin tonë… Kjo drogë vinte nga Venezuela”, tha Trump, i cili gjithashtu e publikoi një video që tha se ishte e sulmit të 2 shtatorit.
Trump shtoi se ushtria amerikane kishte identifikuar anëtarët e ekuipazhit të kësaj varke si pjesëtarë të bandës venezuelase Tren de Aragua, që SHBA-ja e futi në listën e organizatave terroriste në shtator.
Udhëheqësi amerikan përsëriti akuzat se Tren de Aragua kontrollohet nga presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, akuza që vazhdimisht janë hedhur poshtë nga Karakasi.
Ministri për Komunikim i Venezuelës, Freddy Nanez, pretendoi se videoja e publikuar nga Trumpi ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Muajin e kaluar, SHBA-ja dyfishoi shpërblimin për informacionet që do të çonin në arrestimin e Maduros, duke ofruar 50 milionë dollarë, pasi e akuzoi atë për lidhje me trafikun e drogës dhe grupet kriminale.
Zyrtarët në Venezuelë vazhdimisht kanë thënë se Tren de Aragua më nuk është aktiv në shtetin e tyre pasi banda u shkatërrua gjatë një operacioni në një burg më 2023./Indeksonline/