Rubio: SHBA-ja s’është e përfshirë në sulmet kundër Iranit

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se nuk kishte përfshirje ose ndihmë të Shteteve të Bashkuara në sulmet e Izraelit ndaj Iranit.
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, tha Rubio, sipas deklaratës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në X.
Izraeli ka nisur sulme të papara ndaj Iranit, duke synuar programin e tij bërthamor dhe udhëheqësit e lartë ushtarakë në një sulm që kryeministri Benjamin Netanyahu tha se do të zgjasë.
Udhëheqësi suprem i Iranit paralajmëroi se Izraeli do të përballet me “ndëshkim të rëndë”.

“Izraeli na njoftoi se ata besojnë se ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së”, tha Rubio./Indeksonline/