17:46 / E Enjte, 20 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Rudari s’e sheh kundër kandidat Bulliqin: LDK gjithmonë i ka fitu zgjedhjet në Podujevë!

Posti që iu dha Agim Veliut si Ministër i Punëve të Brendshme, e la komunën e Podujevës pa udhëheqës.

Si pasojë e kësaj, qytetarët e kësaj komune, do t’u drejtohen kutive të votimit më 15 të muajit të ardhshëm.

Garës për kryetar i kanë hyrë tre kandidatë, nga tri partitë më të mëdha në vend.

LDK për kandidat e ka propozuar Nexhmi Rudarin, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me Shpejtim Bulliqin, derisa PDK me Naim Fetahun.

Por, luftë e ashpër është duke u bërë në mes këtyre dy të parëve, derisa LDK po synon mos ta lëshojë Podujevën, në anën tjetër Vetëvendosje ka për qëllim ta merr nën qeverisje edhe një komunë më shumë.

Megjithatë, kandidati nga LDK, Nexhmi Rudari ka thënë për Indeksonline se është i bindur se do t’i fitoj këto zgjedhje qysh në raundin e parë.

“Deri në hapje të fushatës, kemi aktivitete që janë të lejuara me ligj, takime me palë të interesit, me njerëz.

Unë jam shumë i bindur që ne, gjegjësisht unë si kandidat i LDK-së, do të fitoj qysh në raundin e parë, sepse LDK-ja në Podujevë e ka një traditë, që i kanë fituar të gjitha zgjedhjet.

Janë bërë punë të mira dhe ato punë të mira qytetarët i vlerësojnë”.

Rudari tha fjalë të mira për kryetarin e kaluar, ndërsa tha se pavarësisht se Veliu s’pati përkrahje nga qeveria, tani që LDK është në bashkëqeverisje do t’ia lehtësojë atij si kryetar i ardhshëm që t’i realizojë projektet e tij.

“Për vitin 2020 nuk mund të ndryshojmë projektet që janë të miratuara në kuvendin e komunës dhe që janë dërgu për miratim si pjesë e buxhetit të Kosovës, por do të vazhdojmë me ato punë të mira që ka bërë edhe kryetari Veliu edhe qeverisja lokale.

Ndërsa për vitin 2021 atëherë do të ulemi me palët e interesit, me qytetarë, me debate publike të përcaktohemi për prioritete që janë për qytetarët e komunës së Podujevës.

Më shumë shoh avantazhe se sa mangësi, sepse në kohën e qeverisjes nga zotëri Veliu ai s’ka pas asnjë mbështetje nga qeveria, për dallim nga unë, unë do ta kem më lehtë se ai sepse tani jemi në bashkëqeverisje dhe do ta kem mbështetjen e qeverisë për të realizuar projekte në komunën e Podujevës”.

Kandidati për kryetar të komunës së Podujevës, foli edhe për gjuhën e kundër kandidatit të tij nga ana e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqit.

Rudari pa dashur të komentoi shumë tha se është në dorën e secilit kandidat se si do ta zhvillojë debatin dhe gjuhën elektorale.

 “Unë besoj që do të duhej ne si kandidat për kryetarë të mbajmë nivelin e gjuhës të pranueshme si për publikun ashtu edhe për kundër kandidatët e tjerë. Është në dorën e kandidatëve se si do ta zhvillojnë debatin dhe gjuhën elektorale. Unë jam nga ata që ta kemi një gjuhë korrekte, të bazuar në argumente dhe ta kemi një fushatë të qetë që do të përfundonte me rezultat ashtu si e dëshirojnë edhe qytetarët e komunës së Podujevës”.

E, sa i përket asaj se nëse fiton në këtë zgjedhje a do të jetë kandidat edhe për një mandat të ri, ai tha se për këtë vendos dega e LDK-së në Podujevë, por që ai personalisht nuk ka ambicie. Por, nëse kjo kërkohet nga partia e tij atëherë është e mirë se ardhur./Indeksonline