Rudari shkarkon 2 drejtorë të komunës, thotë se s’treguan performancë

Nënkryetari i Podujevës, i cili ka muaj që po e ushtron detyrën e kreut komunal, Nexhmi Rudari, ka shkarkuar dy drejtorë, atë të Urbanizmit, Hamdi Jahën dhe të Shëndetësisë, Zaim Thaçin.
Këtë e ka konfirmuar vetë Rudari për IndeksOnline, duke treguar edhe arsyen.
“Vendimet janë dorëzuar për lirim nga përgjegjësia e pozitës së drejtorit për dy drejtorë, atë të Urbanizmit dhe të Shëndetësisë. Sot u janë dorëzuar vendimet, ndërsa dje në fund të orarit janë marrë vendimet. Arsyeja e vetme është performanca. Nuk jam i kënaqur me performancën e tyre në këtë periudhë, kjo ka qenë dhe e vetmja arsye”, tha ai.
Rudari mohoi zërat që këtë vendim e ka marrë për shkak se dy drejtorët tashmë të shkarkuar, s’janë angazhuar sa duhet në fushatën që po bëhet për kryetar të komunës, ku kandidon vetë ai nga radhët e LDK-së.
“Fushatë nuk ka një herë. Tashti do të shohim për zëvendësimin e tyre, do të konsultohem edhe me subjektin politik dhe të shohim a do të jetë kjo para zgjedhjeve a do ta lëmë pas zgjedhjeve. Për momentin janë zyrtarët e drejtorive. Nuk kam vendosur ende”.
Marrë parasysh se jemi në kohën e pandemisë, madje kur numri i rasteve me COVID-19, është rritur, largimin nga detyra e drejtorit të Shëndetësisë nga Podujeva, Rudari thotë se pikërisht kjo është një nga arsyet që e shtyri ta merrte këtë vendim.
“Gjendja është e mirë, por po të ishte angazhuar, s’do të ishte larguar drejtori. Në komunë e kemi shefin e sektorit të Shëndetësisë, i cili i ka marrë kompetencat për situatën pandemike, deri në zgjedhje të drejtorit të ri”.
IndekSonline ka provuar të merrte një përgjigje në lidhje me shkarkimin e tij, edhe Hamdi Jahën, tashmë ish-drejtor i Urbanizmit në Komunën e Podujevës, por që ai as nuk e ka mohuar e as pohuar lirimin e tij nga detyra.
Ai shkurt vetëm ka thënë “Do ta shohim”.
Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, do të mbahen më 29 nëntor./Indeksonline