Rukiqi: Albini dhe Ekonomia, larg shumë larg
Kandidati për deputet I LDK-së Berat Rukiqi ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke thënë se vendi po përballet me probleme serioze ekonomike, ndërsa qeveria po krenohet me uljen e borxhit publik në vend se të fokusohet në investime.
Sipas tij, çmimet mesatare janë rritur rreth 30 për qind, ndërsa ushqimet mbi 50 për qind, duke rënduar jetesën e qytetarëve.
Rukiqi thekson se qeveria e mori drejtimin e vendit me rreth 2 miliardë euro deficit tregtar, ndërsa sot ai ka kaluar mbi 5 miliardë euro, çka nënkupton dalje të vazhdueshme të kapitalit nga Kosova.
Ai shton se faturat e energjisë elektrike janë katërfishuar dhe se vendi është bërë i varur nga importet e energjisë, pa u ndërtuar asnjë megavat i ri prodhues.
Në kritikën e tij, Rukiqi përmend edhe gjendjen në shëndetësi, duke thënë se, pavarësisht retorikës për qëndrueshmëri dhe parime, në spitale shpesh mungojnë edhe mjetet bazë për operacione. Sipas tij, është e papranueshme që në këto rrethana qeveria të flasë për zhvillim ekonomik, duke përfunduar se kryeministri “as A-në e as E-në e ekonomisë nuk e di”.

