12:34 / E Shtunë, 05 Shtator 2020

Rukiqi thotë se e përkrahin marrëveshjen në ShBA, sa i përket aspektit të investimeve

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një konferencë për mediaka thënë se në aspektin e investimeve, marrëveshja që u nënshkrua dje mund t’i sjellë dobi Kosovës.

Ai ka thënë se së bashku me një grup të bizneseve do të shkojnë në ShBA, për të analizuar dhe studiuar përfitimet nga kjo marrëveshje.

“Sa i përket pikave që janë aty, është e rëndësishme se ka një zotim të institucioneve amerikane për investime, që unë besoj që e bëjnë Kosovën të rëndësishme në transportin ndërkombëtar. Në këtë aspekt e përkrahim”, tha Rukiqi.

Ai duke folur për situatën ekonomike në vend ka thënë se Parlamenti i Kosovës nuk duhet të pres deri më 15 shtator për të diskutuar për çështje të rëndësishme siç është Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Do të diskutojmë edhe me kryeministrin  disa masa që duhet të veprohet shpejtë. Mjetet e trustit do të ishin një ndihmesë, dhe se tash s’kemi kohë për analiza dhe efekt e saj. Qytetarët janë të gatshëm ti tërheqin  ato, dhe ato duhet t’i marrin tash kur kanë më së shumti nevojë”.