75 Mall Live Search
11:33 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Rushiti: Dhuna ndaj grave në Kosovë me pasoja fatale

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, Grupi i Grave Deputete, në bashkëpunim me QKRMT-në dhe Qendrën për promovimin e drejtave të grave, ka zhvilluar aktivitet në funksion​ të ndërgjegjësimit dhe të nxitjes së veprimeve për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Blerta Deliu- Kodra ka thënë se fatkeqësisht dhuna ndaj grave është një dukuri në rritje dhe institucionet përkatëse duhet respektuar ligjet në fuqi për parandalimin e kësaj dukurie.

 

“Jemi të shqetësuara si gra deputete me këtë rritje të numrit të grave, të cilat janë viktima të dhunës në familje  dhe do të kujdesemi që legjislacioni të këtë edhe sanksionet përkatëse, sanksione të cilat duhet të implementohen që ta parandalojmë këtë dukuri të dhimbshme për shoqërinë tonë”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.

Feride Rushiti drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës ka thënë se rastet e shpeshta të dhunës ndaj grave kanë përfunduar disa herë edhe me fatalitet, dhe për këtë ajo kërkon të merren masa për parandalimin e kësaj dukurie.

 

“Motoja e këtij viti, motoja globale është që “Mos të lëmë as kënd mbrapa, ndal dhunën ndaj grave dhe vajzave” dhe pikërisht në këtë vit ne jemi dëshmitar që ende dhuna ndaj grave qoftë fizike, psikike apo sociale po ushtrohet dhe fatkeqësisht po përfundon me fatalitet. Prandaj, kemi menduar që duke iu bashkëngjitur grupit parlamentar të grave dhe parlamentareve të tjerë, ne mendojmë se si institucione duhet të jemi më efeçient në parandalimin e krimeve të tilla”, ka thënë Rushiti.

Deputetja Lirije Kajtazi, ka thënë se Kuvendi me rekomandime përkatëse duhet të marr masa ndaj dhunës së grave. Ajo po ashtu bëri thirrje që mos të keqtrajtohen gratë, sepse janë pjesë e shoqërisë kosovare.

“Kështu së bashku edhe me kolegët tanë ne jemi të bashkuara në këtë rrugë, por bashkë edhe me kolegët e tjerë dhe me aktivizim të mekanizmave, sigurisht se dhuna do të bie që është esenciale dhe ne kemi nxjerrë edhe disa rekomandime për institucionet me herët, do të insistojmë që ato rekomandime tani të zbatohen”, ka thënë Kajtazi.

Ndërsa, Abelart Tahiri ministër i Drejtësisë, është solidarizuar me aksionin simboli të grave në Kuvend, i cili ka thënë se ky aksion tregon një vetëdije të lartë të shoqërisë, ngase edhe sot shoqëria kosovare ballafaqohet me dhunën.

 

“Kjo tregon një vetëdije të lartë të shoqërisë tonë të organizmave tonë qofshin ato shtetërore apo jo qeveritare në parandalimin e dhunës ndaj gruas. Shoqëria jonë edhe sot ballafaqohet me një fenomen të tillë dhe mjaft shqetësues”, ka thënë Tahiri.

Shefja e BE-së, Natalya Apostolova, ka theksuar se Bashkimi Evropian ka një të arritur të lartë për vlerat që kanë të bëjnë për të drejtat e grave. Ajo ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për ndarjen e mjeteve për këtë kategori.

 

“Për bashkimin evropian vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe me barazinë gjinore ka një lartësi shumë të lartë. Megjithatë do të doja ta përgëzoja qeverinë e Kosovës që ka ndarë një shumë prej 230 mijë euro për gratë të cilat kanë përjetuar dhunën, po ashtu ne si BE kemi një projekt që ka të bëjë me gratë në periudhën tranzicionale dhe I ftoi të gjitha ato gra që kanë projektuar ato ngjarje të tmerrshme që të vijnë dhe të aplikojnë për të drejtat e tyre dhe ti marrin ato çka ju takon”, ka thënë Apostolova.