07:48 / E Enjte, 19 Maj 2022 / MSH

Rusia dërgon mbi 900 ushtarë ukrainas në një koloni burgu

Më shumë se 900 luftëtarë ukrainas që ishin izoluar në fabrikën e çelikut në Mariupol, janë dërguar në një koloni burgu në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Ukraina urdhëroi trupat atje të tërhiqen si pjesë e një marrëveshjeje të arritur nga të dyja palët. Furnizimet me ushqim dhe ujë thuhet se kanë qenë të pakta në fabrikë për disa javë.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, tha të mërkurën se 959 persona nga shërbimi ukrainas janë dorëzuar që nga e marta, shkruan BBC. 

Prej tyre, 51 po trajtoheshin për lëndime dhe pjesa tjetër ishte dërguar në një ish-koloni burgu në qytetin Olenivka, një zonë kjo në rajonin e Donetskut dhe e kontrolluar nga Rusia.

Sipas AFP, ministria e mbrojtjes në Kiev tha se shpresonte për një”procedurë shkëmbimi, për të riatdhesuar sa më shpejt të jetë e mundur këta ukrainas.

Fati i tyre mbetet i paqartë, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov që refuzon të deklarojë nëse ata do të trajtohen si kriminelë apo si robër lufte.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës u zotua të bëjë “çdo gjë të nevojshme” për të shpëtuar ata që janë ende në rrjetin e përhapur të tuneleve dhe bunkerëve në fabrikën e çelikut, por pranoi se nuk kishte asnjë opsion ushtarak në dispozicion.