Rusia do t’i dëbojë 150 diplomatë perëndimorë
Rusia do t’i dëbojë së paku 150 diplomatë perëndimor si kundërpërgjigje ndaj dëbimit të diplomatëve të saj nga Britania e Madhe, SHBA, dhe aleatët e tjerë perëndimor, për shkak të helmimit të ish-spiunit rus në Britani.
Kremlini njoftoi dhe mbylljen e Konsullatës Amerikane në Shën Petersburg. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov deklaroi se kishte lajmëruar ambasadorin e SHBA-ve për largimin e 60 diplomatëve nga Rusia, po aq sa dëboi Washingtoni.Më shumë se 20 vende kanë dëbuar përfaqësues të inteligjencës ruse, duke përfshirë këtu SHBA-në, Kanadanë, Australinë.
Situata në mes të Rusisë dhe Perëndimit është në acarim e sipër pasi Britania e Madhe akuzoi haptazi Moskën për përfshirje në helmimin me agjent nervor, të ish spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, në 4 Mars, të cilët ende janë në gjendje kritike për jetë.