18:48 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Rusia e “mashtroi” Amerikën për ta tërhequr Kosova kërkesën për Interpol

Kosova u tërhoq nga kërkesa për anëtarësim në Interpol për shkak të një mashtrimi që iu bë SHVA’ve nga Rusia.

Administrata e presidentit Donald Trump formuloi një plan që të pamundësonte hyrjen e Palestinës në Interpol muajin e kaluar.

E meta e këtij plani ishte se mbështetej në Rusinë.

Derisa Asambleja e Përgjithshme e Interpolit po mbahej në Pekin, SHBA’të i ofruan Rusisë një marrëveshje shkëmbimi. SHBA’të u pajtuan për të bërë presion në Kosovën që të tërhiqej nga kërkesa për anëtarësim në organizatën e policisë ndërkombëtare nëse Rusia pajtohej që të mbështeste strategjinë e tyre për çështjen palestineze, shkruan The Jerusalem Post, transmeton Express.

Marrëveshja përfshinte edhe Serinë dhe Kinën. Por në fund të samitit, Palestina u bë pjesë e Interpolit por jo edhe Kosova. Por si ndodhi gjithçka?

“Nuk jam i sigurt se mund të ju jap përgjigjen e duhur”, tha një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë për The Jerusalem Post, duke treguar se zhvillimet nuk shkuan siç pritej prej tyre.

Strategjia e  Washingtonit zyrtar ishte pamundësimi i hyrjes së anëtarëve të ri në organizatën e policisë ndërkombëtare për të pakën një vit, kur do të miratoheshin ndryshimet në kërkesat për anëtarësim.

Delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kryesohej nga Zëvendës-prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili propozoi pesë amandamente të reja duke kërkuar mos pranimin në organizatë të anëtarëve të rinj edhe për një vit, përfshirë këtu edhe ‘Shtetin e Palestinës’.

Britania e Madhe, Gjermania, Holanda dhe Izraeli përkrahën shtyrjen e votimit për shtetet aplikuese derisa Irani, Iraku dhe Turqia ishin kundër, tha një burim i qeverisë amerikane.

Rusia, Kina dhe Serbia fillimisht kishin mbështetur strategjinë amerikane për ndryshime. Kështu SHBA’të ushtruan presion në Kosovën për tërheqje të aplikimit. Prishtina përfundimisht u tërhoq pasi Administrata Trump u tha se nuk do të kishin votën e tyre.

Por asgjë nga kjo nuk u bë, pasi SHBA nuk mori votat e mjaftueshme.

Pavarësisht se votimi në këto amandamente ishte anonim, zyrtarët amerikanë janë në mëdyshje nëse Rusia i qëndroi fjalës së dhënë. Kështu, pasi kalimi i amendamenteve dështoi, Rusia, Kina dhe Serbia nuk e panë të arsyeshme të ndalonin anëtarësimin e Palestinës.

Departamenti i Drejtësisë thotë se Washingoni aplikoi presione të konsiderueshme në vendet anëtare për të votuar në favor të ndryshimeve, dhe më pas kundër ofertës palestineze.

Kështu anëtarë të Kongresit kanë dyshime dhe kërkojnë pyetje për këto lojëra që mund të kenë luajtur SHBA’të.

Më 21 të muajit të kaluar Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një komunikate për media, ka treguar se Kosova heq dorë nga procesi i anëtarësimit në Interpol për këtë vit.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOLIT kishte vendosur që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm ndërkombëtar policor të hyjë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOLIT që do të mbahej prej 26 gjer më 29 shtator në Pekin të Kinës.