21:22 / E Premte, 16 Prill 2021 / Blerim

Rusia hakmerret me dëbimin diplomatëve amerikanë

Rusia do të dëbojë 10 diplomatë amerikanë në shenjë hakmarrjeje ndaj dëbimit të një numri të ngjashëm të diplomatëve rusë nga ana e Uashingtonit.

SHBA-ja dëboi diplomatët rusë për shkak të pretendimeve për ndërhyrje në zgjedhje, sulme kibernetike dhe veprimeve tjera keqdashëse.

“Në formë të barabartë do t’i përgjigjemi kësaj mase. Do të kërkojmë që 10 diplomatë amerikanë në Rusi të largohen nga vendi”, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov gjatë një konference me gazetarë së bashku me homologun e tij serb.

Ai gjithashtu tha se ndihmësi i lartë i politikës së jashtme të presidentit Vladimir Putin, Yury Ushakov, kishte rekomanduar që ambasadori amerikan, John Sullivan të kthehej në Uashington për të kryer “konsultime serioze”.

Në muajin mars, ambasadori i Rusisë në Uashington u kthye në Moskë për konsultime, pas një deklarate të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili e kishte quajtur Putinin “një vrasës”.