08:29 / E Shtunë, 18 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Rusia i shpërblen pilotët luftarakë të përfshirë në rrëzimin e dronit amerikan

Rusia ka ndarë çmime shtetërore për dy pilotët luftarakë të përfshirë në rrëzimin e një droni vëzhgues amerikan në Detin e Zi, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa zyrtarët e ShBA-së njoftuan se fluturimet e veta të spiunazhit në rajon kanë rifilluar.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, derisa po i ndante çmimet, përgëzoi arritjen e pilotëve në parandalimin e fluturimit të dronit në një zonë afër Krimesë, në të cilën Moska e ka ndaluar hyrjen.

Analisti politik Sergei Markov tha se çmimet për pilotët ishin “një shenjë e qartë se Rusia do të vazhdojë t’i rrëzojë” dronët amerikanë.

Prezantimi i çmimeve nga Rusia vjen një ditë pasi ushtria amerikane publikoi një videoklip të deklasifikuar prej 42 sekondash që tregon avionët luftarakë rusë Su-27 duke përgjuar dronin dhe duke bërë kalime të afërta, derisa derdhnin karburant në një përpjekje të dukshme për të dëmtuar pamjen optike të dronit.