75 Mall Live Search
22:44 / E Premte, 31 Maj 2019 / indeksADMonline

Rusia paralajmëron masa ndëshkuese për Kosovën pas arrestimit të shtetasit të saj

Ministria e punëve të jashtme të Rusisë ka kërcënuar Kosovën me pasoja, për shkak siç shkruajnë mediat serbe, të ‘’mos respektimit të Kombeve të Bashkuara nga ana e Prishtinës’’.

Sipas këtij njoftimi të MPJ-së, Rusia ka paralajmëruar se do të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme që të mbrojë shtetasin e vet, punëtorin Mikhail Krasnoshchenko, i cili është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri.

Të njëjtin, sot Kryeministri Ramush Haradinaj e ka shpallur person “non-grata’.

“Veprimet e autoriteteve në Kosovë i shohim si përkeqësim shtesë të marrëdhënieve ndëretnike në krahinë dhe si përbuzje ndaj normave ndërkombëtare të komunikimit diplomatik. Rusia do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët e saj në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Rusisë, shkruan B92, transmeton Indeksonline.

Ndërsa, Kryministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se veprimet e shtetasit rus, pjesëtar i UNMIK-ut janë kundër të drejtës dhe normave ndërkombëtare.

Sipas tij, pengimi i drejtësisë dhe keqpërdorimi i simboleve të OKB-së janë shkelje e rëndë.

“Policia e Kosovës gjatë operacionit kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës ka arrestuar një qytetar rus, një spiun të kamufluar si punëtor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i cili ka penguar sundimin e ligjit duke përdorur veturën zyrtare të OKB-së. 
Veprimet e tij janë kundër së drejtës dhe normave ndërkombëtare. Pengimi i drejtësisë dhe keqpërdorimi i simboleve të OKB-së janë shkelje e rëndë. Misioni i Rusisë pranë OSBE-së duhet ta kuptojë se sundimi i ligjit është përgjegjësi e jona ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës në një shoqëri që ne ndajmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse, Farhan Haq, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i tha Zërit të Amerikës, se Kosova nuk mund të marrë një vendim të tillë, pasi OKB-ja nuk është shtet./Indeksonline/