75 Mall Live Search
19:14 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / BA

Ruzhdi Shehu premton investime të reja në infrastrukturën sportive në Junik: Rinia është prioriteti ynë

Kryetari aktual i Komunës së Junikut dhe kandidati i LDK-së për një mandat të dytë, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se në programin e tij qeverisës për mandatin e ardhshëm do të përfshihen projekte konkrete për të rinjtë dhe sportin në komunë.

Shehu ka bërë të ditur se gjatë mandatit të dytë do të ndërtohet një fushë e hapur sportive në SHFMU “Edmond Hoxha” në Junik, me një investim prej rreth 130 mijë euro, duke theksuar se kjo fushë do të jetë në përputhje me standardet moderne dhe profesionale.

Gjithashtu, në lagjen Berishë është planifikuar ndërtimi i një tjetër fushe sportive të hapur si dhe një kënd lodrash për fëmijë, me një vlerë investimi prej 60 mijë euro.

“Të rinjtë janë prioriteti ynë, jo vetëm me fjalë boshe sikurse të tjerët, por me projekte konkrete, me ndershmëri dhe me duar të pastra”, ka thënë Shehu.

Ai është shprehur i bindur në një fitore pa balotazh në zgjedhjet e 12 tetorit, duke thënë se do të jetë një festë me të rinjtë për të ardhmen e Junikut.

“Vazhdojmë +4 pa balotazh”, tha Shehu./IndeksOnline/