75 Mall Live Search
18:23 / E Mërkurë, 13 Janar 2021 / Blerim

RYCO organizata për mbështetjen e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë e rajonit

Zyra Rajonale për Bashkëpunimi Rinor, e njohur si RYCO, është një organizatë ndërkombëtare dhe ndërqeveritare e themeluar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet shkëmbimeve rinore.

Për të na shpjeguar më shumë rreth RYCO kemi zhvilluar një intervistë me drejtuesen e degës lokale të RYCO në Kosovë Zonjën Krenare Gashi-Krasniqi.

Intervistë me drejtuesen e Degës lokale të RYCO në Prishtinë

  • Çfarë është Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor?

Zyra Rajonale për Bashkëpunimi Rinor, e njohur si RYCO, është një organizatë ndërkombëtare dhe ndërqeveritare e themeluar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet shkëmbimeve rinore (youth exchanges). Marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor u nënshkrua në Paris në 2016-tën, nga gjashtë kryeministrat në fuqi të rajonit, për të rritur dhe përforcuar bashkëpunimin mes të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, RYCO promovon pajtimin, tolerancën, paqen, bashkëpunimin dhe dialogun rajonal përmes mbështetjes dhe financimit të projekteve që bashkojnë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.

  • Cili është qëllimi i saj?

Qëllimi i RYCO-s bazohet në mënyrë direkte në punën për një rajon më të mirë ku bashkëpunimi, paqja, dhe toleranca mbizotërojnë. Vizioni i RYCO-s bazohet në mbështetjen e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë e rajonit. Prandaj, për të arritur qëllimet e vendosura, RYCO mbështet organizatat e shoqërise civile dhe shkollat e mesme në rajon të cilat punojnë me dhe për të rinjtë, ndërmjet thirrjeve për projekt-propozime të cilat tërheqin ide inovative dhe rezultojnë në bashkëpunime shumë diverse.

  • Ku është e shtrirë kjo organizatë ndërkombëtare?

Selia e RYCO-s ndodhet në Tiranë, ndërkohë që ka nga një zyre përfaqësuese lokale në cdo kryeqytetet të rajonit, Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup dhe Tiranë. Pra, RYCO është i pranishëm në cdo vend të rajonit duke mundësuar kështu një kontakt sa më të afërt me të rinjtë dhe aktorë të ndryshëm në Ballkanin Perëndimor. Prezenca e RYCO-s në të gjitha vendet e rajonit mundëson kështu punën në terren dhe me impakt të drejtpërdrejtë, si dhe përfaqësimin më të gjërë të organizatës.

  • Cilat janë shtyllat themelore të RYCO?

Në aspektin programatik, RYCO fokusohet në disa shtylla kryesore dhe themelore të cilat janë: mbështetja (grantet) financiare dhe rritja e kapaciteteve të shkollave dhe organizatave në rajon, ndërtimi i paqes, fuqizimi i rinisë, rritja e bashkëpunit rajonal dhe dialogu ndërkulturor.

RYCO ka implementuar deri tani tri thirrje të hapura për projekt-propozime dhe është duke punuar për nisjen e implementimit të thirrjes të katërt. Gjithashtu, RYCO ka përkrahur rreth 100 projekte, të cilat kanë ardhur si partneritete midis Organizatave të Shoqërisë Civile dhe shkollave të mesme në rajon. Programet e RYCOs kanë arritur të shkëmbejnë rreth 5000 të rinj nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë krijuar miqësi të reja dhe kanë realizuar iniciativa të përbashkëta për ndërtimin e paqes në rajon.

Pra, temat në të cilat përqëndrohen projektet që ne mbështesim janë pikërisht ato që lidhen me misionin dhe punën tonë në rajon: pajtimi, dialogu ndërkulturor, fuqizimi i rinisë dhe pjesëmarrja e tyre në procese politike, sociale dhe kulturore.

  • Cilat janë përftimet e të rinjve nga përfshirja në këtë organizatë?

Duke u përfshirë në programet dhe iniciativat e RYCO-s, të rinjtë pajisen me aftësi të reja dhe ndihen të gatshëm dhe mirëpërgatitur për të kontribuar në procesin e zhvillimit demokratik, politik, ekonomik dhe social të vendit të tyre. Mbi të gjitha, ata thyjnë tabu, stereotipe dhe mposhtin narrativat të cilat përçajnë rajonin tonë dhe krijojnë kështu eksperienca të reja pozitive duke udhëtuar, duke bërë miqësi të reja, duke njohur kultura dhe vende të reja e shumë më tepër. Një nga përfitimet më të veçanta që të rinjtë veçojnë është edhe mundësia e mobilitetit, e të  udhëtuarit në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për disa prej tyre për herë të parë.

Eksperiencat e veçanta, diverse dhe unike të cilat të rinjtë përjetojnë kur bëhen pjesë e programeve dhe shkëmbimeve rinore të RYCO-s janë pikërisht ato që motivojnë ata, por gjithashtu na motivojnë dhe ne për të punuar më shumë në iniciativa të ngjashme me dhe për të rinjtë.

  • Si të bëhemi pjesë e RYCO?

RYCO është një organizatë githëpërfshirëse dhe e hapur për bashkëpunime me qëllime të përbashkëta. Ne mirëpresim ide të reja dhe inovative të cilat ndihmojnë dhe fuqizojnë të rinjtë e rajonit. Organizatat e Shoqërisë Civile dhe shkollat e mesme në rajon mund të bëhen pjesë e programeve tona duke ndjekur dhe aplikuar në thirrjet e RYCO-s për projekt-propozime. Gjithashtu ne mbështesim incitiativa dhe bashkëpunime të tjera lokale dhe rajonale që i afrohen misionit tonë. Momentalisht ne jemi duke punuar mbi një skemë të vullnetarizmit rajonal e cila do të tërheqë dhe përfshijë akoma më shumë të rinj nga mbarë rajoni. Planet dhe misioni ynë nuk do të ishin të mundur pa të rinjtë aktivë dhe të fuqizuar të Ballkanit Perëndimor, ndaj jemi gjithmonë të hapur për ide të reja dhe inovative, dhe bashkëpunime që do të ndërtojnë paqe dhe dialog ndërkulturor në rajon.

Një ndër projektet e fundit të RYCO është nisja e web platformës rajonale ROUTE WB6 e cila ka për qëllim përkrahjen e vullnetarzimit

Ekipa e Route WB6 është duke nisur webplatformën vullnetare rajonale, e cila është një vegël online e cila ka për qëllim përkrahjen e të rinjve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetet lokale përreth rajonit. Platforma do të shërbejë si një qendër e resurseve në fazën e saj të parë, mirëpo edhe si një vegël mbështëtëse që do t’ju mundësoj të rinjve dhe të interesuarve të tjerë të ofrojnë shërbime vullnetare dhe të pranojnë mundësi vullnetarizmi në Ballkanin Perëndimor në muajt e ardhshëm.

Route WB6 Qendra e resurseve përmbanë publikime dhe dokumente rreth vullnetarizmit në Ballkanin Perëndimor. Përmbanë ligje dhe rregullore të ndryshme, aritkuj, si dhe tri dokumentet kryesore të projektit: Përmbledhja e rregullores rajonale, Manifesto dhe Kodeksi Etik.

Në muajt e ardhshëm, projekti ROUTE WB6 do të përkrahë dhe implementon programin e saj rajonal Programi Shkëmbimi i Vullnetarëve. Qindra të rinj do ta sfidojnë vetën me eksperienca të reja, udhëtime rreth rajonit, do të bëjnë miq të ri, dhe mësojnë më shumë rreth komuniteteve lokale. Web Platforma e Vullnetarëve Rajonal është themeluar në kuadër të kornizës së projektit ROUTE WB6. Projekti implementohet përgjatë Ballkanit Perëndimor 6 nga konsorciumi i udhëhequr nga RYCO në bashkëpunim me Beyond Barriers, South East European Youth Network, Insituti për Zhvillimin e Rinisë KULT, Lens, Qendra Kulturore e të Rinjve Bitolë, Asociacioni për Prosperitet Demokratik ZID dhe Hulumtuesit e Rinj nga Serbia. Qëllimi kryesor I projektit është që të inspirojë të rinjtë nga rajoni të bëhen nxitësit e pajtimit dhe rindërtimit të shoqërisë, duke ju mundësuar që të aplikojnë vlera Europiane, inicojnë dhe udhëheqin dialog ndërkulturor dhe bashkëpunim rajonal drejt zhvillimit socio-ekonomik dhe demokratik. Kjo iniciativë mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Për të mësuar më shumë për platformën, ju lutemi klikoni këtu.