Shemsedin Haxhiaj e pranoi zyrtarisht detyrën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë

Në ambientet e Gjykatës Themelore në Pejë, sot është bërë pranimdorëzimi i detyrës së kryetarit të gjykatës.
Gjyqtari Shemsedin Haxhiaj e pranoi zyrtarisht detyrën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, detyrë të cilën ia dorëzoi ushtruesi i deritashëm i detyrës, gjyqtari Migjen Kastrati.
Me këtë rast, kryetari i ri falënderoi gjyqtarin Kastrati për kontributin e dhënë gjatë periudhës sa gjykata është udhëhequr nga ai si ushtrues detyre, dhe u zotua se do të japë më të mirën nga vetja për drejtimin e kësaj gjykate në mandatin pesëvjeçar. Po ashtu, kryetari Haxhiaj tha se prioritet i tij do të jetë një gjykatë funksionale, e pavarur, transparente dhe me llogaridhënie.
Shemsedin Haxhiaj u zgjodh kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë më 24 korrik 2025, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.