75 Mall Live Search
17:00 / E Mërkurë, 02 Mars 2022 / LB

Sa mund të ndikoj sulmi mbi Ukrainën në Ballkan, flet ish kryeministri Agim Çeku

Ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku thotë se agresioni rus ndaj Ukrainës ka krijuar një momentum të ri.

Madje ai thotë se me këtë veprim të Rusisë, situata në botë ka ndryshu, veçanërisht situata e sigurisë dhe stabilitetit.

Në një prononcim për Indeksonline, ish ministri i Mbrojtjes të Kosovës thotë se institucionet në Kosovë duhet ta përdorin këtë argument të fuqishëm në kërkesën e tyre për anëtarësimin të shpejtë të Kosovës në NATO.

“Çdo kush e kupton se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe njohja e Kosovës nga 5 shtetet e Unionit Europian është një kontribut i drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan dhe kjo është argument i fuqishëm që duhet përdoret nga të gjithë zyrtarët tanë dhe të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Çeku për Indeksonline.

Duke iu referuar deklaratave se sulmi mbi Ukrainën mund të ketë implikime edhe në Ballkanin Perëndimor, ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së thotë se të gjithë i frikësohen këtij zhvillimi dhe për të parandaluar një destabilizim të Ballkanit është njohja e Kosovës nga anëtarësimi i Kosovës në NATO.