10:16 / E Hënë, 21 Tetor 2019

Sa parashihet të jetë paga minimale në Maqedoninë Veriore?

Paga minimale në Maqedoninë Veriore nga dhjetori do të jetë 14 500 denarë, apo rreth 240 euro.

Kjo shumë u përcaktua nga Qeveria e MV-së, punëdhënësit dhe sindikatat.

Kjo do të thotë se paga minimale do të rritet për dy mijë denarë, apo 34 euro.

Sindikatat dhe Odat ekonomike shohin pozitivisht ndaj këtij vendimi dhe besojnë se punëtorët meritojnë një standard jetese më të mire, raporton Alsat.

Por Organizata e Punëdhënësve thotë se jo çdo kompani do të jetë në gjendje të paguajë pagën minimale 14 500 denarë. Ata presin mbylljen e disa kompanive më të vogla, konkretisht në industrinë e tekstilit.

Por, sa kompani do të kenë problem për t’i paguar punonjësit, zv. kryeministri Angushev nuk dinte saktë të tregonte, sepse tha se nuk kanë bërë analizë të tillë dhe se nuk i dinë matematikat e kompanive.

Aktualisht paga minimale është 12.500 denarë, ndërsa kjo garniturë qeveritare dy vjet më parë pagën minimale e rriti për 3.500 denarë.

Premtimi parazgjedhor i LSDM-së është se deri në fund të mandatit, paga minimale do të arrijë në 16.000 denarë. Qëndrimi i opozitës është se rritja e pagave minimale është koketim parazgjedhor.