Sa po rrezikohen kosovarët nga loja vetëvrasëse ‘Momo’?
Një “lojë vetëvrasëse” që quhet “Momo” është duke u promovuar në videot e filmave të animuar “Peppa Pig” dhe “Fortnite” në kanalin Youtube. “Sfida Momo”, e cila është e lidhur me vdekjen e dy fëmijëve në Britani, motivon të rinjtë të lëndojnë vetën dhe në disa raste edhe të bëjnë vetëvrasje.
Udhëheqësi i Komunitetit të Sigurisë Kibernetike, Mentor Hoxhaj tha se pas “Balenës blu”, “Momo Challenge Reddit” është një lojë tjetër relativisht e re, e rrezikshme e cila shpërndahet përmes rrjeteve sociale.
Hoxhaj bëri të ditur për rtv21 se është konstatuar që përveç “Youtubes” po shfrytëzohet “Whatsapp”.
“Pavarësisht cili nga aplikacionit që përdoret rezultatet janë të njëjta, tërheqja e fëmijëve në lojë, më pastaj me kërcënim dhe shantazh të fëmijëve për të vazhduar lojën”, u shpreh Mentor Hoxhaj.
Ai tha se edhe në Kosovë mund të “keqpërdorin” situatën.
“Ashtu si dhe me rastin e lojës Balena Blu, dhe në ketë lojë, për fat të keq, në të ardhmen mund të kemi shumë persona te cilët do “keqpërdorin” këtë situatë. Duke imituar dhe shfrytëzuar për lojërat e tilla për të kërcënuar apo shantazhuar bashkëmoshatarët apo gjininë e kundërt”, është shprehur ai.
Hoxhaj nga “Cyber Security and Privacy”, tregoi se edhe në këtë rast do të ndërmerren masat e nevojshme.
“Me rastin e lojës Balena Blu kemi bashkëpunuar ngushtë me Facebook. Ku kemi mbyllur me dhjetëra llogari të hapura në Kosovë të cilat kanë imituar lojën Balena Blu. U kemi ofruar ndihmë qindra prindërve dhe fëmijëve të shqetësuar, te cilët kanë pranua mesazhe nga “Balena Blu”. Pas me shumë se një muaji kemi konstatuar se nuk ka pasur viktima apo fëmije, që kanë luajtur lojën e vërtetë të Balenës Blu”, ka deklaruar Hoxhaj duke thënë se edhe në këtë rast do të bashkëpunojnë ngushtë me Facebook dhe Google për evidentimin, marrjen e masave te nevojshme dhe largimin e kësaj loje nga rrjetet sociale.
Hoxhaj në fund u rekomandoi fëmijëve dhe prindërve për çdo shqetësim që mund ta kenë lidhur me këtë lojë t’i kontaktojnë ata.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), përdorimi i internetit në Kosovë është 76.6%, shkallë kjo shumë e ngjashme me mesataren e Bashkimit Evropian.