Sa shpenzuan komunat e Kosovës për dekorimet e fundvitit?

Me rastin e festave të fundvitit, komunat e Kosovës bëhen mini-qendra dritash e xixëllimash nga dekorimet.
Shumica prej tyre shpenzojnë shuma marramendëse për dekorime, ndërkaq të tjera nuk është se investojnë shumë në këtë aspekt.
Prishtina është një nga komunat që më së shumti i kushton rëndësi kësaj pjese.
Është viti i tretë me radhë që kryeqyteti ka ndarë nga 50 mijë euro nga buxheti për t’i bërë sheshet “mëngjes” nga dritat.
Me këtë vit, Prishtina e përmbyllë “trilogjinë” e kontratës së saj prej 150 mijë eurosh, teksa mbetet të shihet vitin e ardhshëm se sa do të investojë në dekorime e xixa.
Dorën nuk e ka “rrudhur” as Podujeva në dekorime.
Komuna ka derdhur nga buxheti i saj 20 mijë e 178 euro, të cilat bashkë me një kompani kontraktuese, i ka shpenzuar në dekorime që janë pritur mjaft mirë nga llapjanët.
Disa mijëra euro më pak ka ndarë Komuna e Vushtrrisë. Me 15 mijë e 338 euro, vushtrriasit kanë dekoruar qytetin.
Një shumë modeste ka ndarë edhe Prizreni, me 10 mijë euro të investuara në drita e tre bredha në sheshet kryesore të qytetit.
Akoma më modeste ka qenë shuma e ndarë nga buxheti i Komunës së Suharekës, me 4 mijë e 394 euro të ndara.
Buzë Maqedonisë së Veriut, Ferizaji gjithashtu është ndriçuar nga dritat festive, që buxhetit të Komunës i kanë kujshtuar as më pak e as më shumë se 12 mijë euro.
Ne Rrafshin e Dukagjinit, dritat po zbukurojnë edhe qytetin e Pejës e të Gjakovës.
E para është dekoruar nga bizneset e kësaj Komune, teksa 07-shi ka investuar mbi 37 mijë euro për dekorime.
Në anën tjetër, ka edhe nga komunat që nuk kanë shpenzuar në këtë aspekt.
Mitrovica e Jugut është dekoruar vetëm nga bizneset që kanë shprehur vullnetin të kontribuojnë.
Në një përgjigje të Komunës për Indeksonline, thuhet se borxhi i akumuluar dhe mundësitë financiarë të kufizuara kanë bërë që Mitrovica të mos planifikojë dekorimin e qytetit./Indeksonline/