17:12 / E Enjte, 05 Mars 2020 / indeksADMonline

Sa shqiptarë jetojnë në Kantonin e Schaffhausen-it?

Në fund të vitit 2019, në Kantonin e Schaffhausen-it kanë jetuar gjithsej 82.400 banorë. Kjo shifër është për 351 më shumë  sesa një vit më parë dhe korrespondon me një rritje prej 0.4 për qind.

Kjo tregon se rritja e popullsisë ka qenë pak nën nivelin e rritjes së një viti më parë, ka njoftuar të enjten Departamenti Kantonal  i Çështjeve Ekonomike. Në vitin 2018, popullsia ishte rritur për 640 njerëz në krahasim me vitin paraprak.

Rritja në vitin e kaluar është shpërndarë në mënyrë të barabartë midis zviceranëve dhe të huajve. Në fund të vitit, në kanton kishte 275 persona me shtetësi zvicerane më shumë  se një vit më parë dhe 76 persona më shumë që kanë pasaportë të huaj, transmeton albinfo.ch. Kjo korrespondon me një rritje prej 0.5 për qind secila. Përqindja e të huajve ka mbetur në shkallën 26.1 për qind, sa ishte edhe në vitin 2018.

Grupi më i madh i popullatës rezidente me prejardhje të huaj vjen nga Gjermania (29.5 për qind), i ndjekur nga Italia (11.6 për qind). Në vendin e tretë dhe të katërt janë Maqedonia e Veriut me 7.5 dhe Kosova me 6.9 për qind.

Sikurse zakonisht, duhet sqaruar se shtetasit e Maqedonisë së Veriut, ashtu sikurse ata të Kosovës që jetojnë në Zvicër janë me shumicë dërmuese shqiptarë, shkruan albinfo.ch. por statistikat e këtushme nuk i regjistrojnë banorët sipas përkatësisë etnike. Shikuar nga ky aspekt, me siguri përqindja e shqiptarëve do të dilte më e lartë se ajo e italianëve, sikur të huajt të identifikoheshin sipas etnisë.

Në pesë vitet e fundit, popullsia e Schaffhausen-it është rritur për  3.5 për qind, përcjell albinfo.ch. Vetë qyteti Schaffhausen ka regjistruar rritjen më të madhe me një rritje prej 664 njerëz ose 1.6 për qind.