75 Mall Live Search
09:13 / E Diele, 06 Nëntor 2022 / MSH

Sadiku: Buxheti prej 3.2 miliardë euro nuk do të bëjë çudira

Draft buxheti për vitin e ardhshëm i planifikuar të jetë 3.2 miliardë euro, nuk do të bëjë çudira. Kështu vlerëson eksperti i çështjeve ekonomike Muhamet Sadiku.

Ai në një intervistë për IndeksOnline, tha se shteti nuk mund të zhvillohet vetëm me buxhet, por me përfshirje të investimeve private e rritje të vendeve të reja të punës.

“Nuk do të këtë ndryshime radikale siç shumë shpesh thonë që Kosova më këtë buxhet do të bëje çudira. Por jo, shteti nuk zhvillohet vetëm me buxhet, por zhvillohet me investimet në sektorin privat. Me përfshirjen e investimeve të jashtme në sektorin privat, me hapjen e vendeve të reja të punës, në rritjen e sektorit të eksportit. Kosova vazhdon që importin e vetë ta mbulojë vetëm në 7-10 për qind eksport”, tha Sadiku.

Sipas tij  buxheti prej 3.2 miliardë euro është i fryre nga inflacioni dhe se është buxhet mjaft sfidues.

“Ka vlerësim që Kosova më në fund e ka buxhetin më të madh në historinë e vetë të ekzistimit. Në aspektin nominal është e vërtete por buxheti prej 3.2 miliardë euro është i fryre për inflacion. Ne duhet pritur që në vitin e ardhshëm që  inflacioni në Kosovë duhet të jetë rreth 10%, që në terma reale buxheti i Kosovës do të jetë 10% më i vogël se sa paraqitet në terma nominale. Ky buxhet do të jetë tejet i sfiduar me zhvillimet në tregun e jashtëm që e ndikojnë në ekonominë e Kosovës. Por sido që të jetë unë e shoh të rëndësishëm rikthimin e investimeve publike në Kosovë, sepse kanë kaluar dy vite në pritje të korrigjimit të procedurave”, tha ai. /IndeksOnline/