Sadiku: Pandemia s’do të kalojë shumë shpejt, kapacitetet tona të limituara në luftën me Covidin-19

Infektologu Izet Sadiku, ka folur për gjendjen që po mbizotëron në Kosovë në luftë me pandeminë.
Sadiku tha se sfidë për sistemin tonë shëndetësor është rritja e rasteve me Covidin-19.
Ai theksoi se arma kryesore e luftës është parandalimi i përhapjes së koronavirusit.
“Secili sistem shëndetësor ka pasur sfida. Sfidë për ne është rritja e rasteve të sëmundjes. Ne armën kryesore e kemi parandalimin e sëmundjes. Fillimi i rritjes dhe paraqitjes së rasteve për shtrim në spitale fillon t’i ngarkojë institucionet. Krejt lufta është bërë që ky numri i rasteve të reja është që të jenë konform kapaciteteve që i ka sistemi shëndetësor”.
“Ne kemi pasur sisteme të shumta shëndetësore që nuk kanë mundur të kontrollonin situatën dhe kanë dështuar. Italia p.sh. nuk ka arritur ta menaxhonte si duhet situatën edhe pse llogaritet se ka ndër sistemet më të mira shëndetësore në Evropë. Por moskontrollimi i pandemisë në fillim në Itali ka bërë që të binte sistemi”.
“Ne e dimë që kapacitetet janë të kufizuara dhe të limituara, edhe njerëzore dhe pajisje mjekësore. Duhet të përmendim edhe rezultatet pozitive, punësimin e disa mjekëve që e ka bërë Qeveria dhe kjo ka ndikuar shumë te ne. Qeveria ka filluar të mendojë të krijojë kapacitete që të ballafaqohemi me Covidin-19 për një periudhë më të gjatë kohore”, tha ai në KlanKosova.
Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë përmendi se pandemia nuk do të kalojë shumë shpejt.
Ai se te qytetarët ishte krijuar opinioni se ne mund të përballemi lehtë me pandeminë.
“Pandemia nuk do të kalojë shumë shpejt. Në situata më të mira deri ne fund të vitit ose në vitin e ardhshëm, nëse zbulohet ndonjë bar ose vaksinë. Qeveria pra ka filluar të krijojë kapacitetet për luftimin e Covidit, edhe aparaturat, por arma jonë kryesore mbetet parandalimi. Në Kosovë i kemi diku katër muaj prej paraqitjes së rastit të parë”.
“Ka pasur njëfarë entuziasmi që ka kaluar pandemia dhe kjo ka krijuar një opinion te qytetarët që ne mund ta luftojmë lehtë pandeminë. Dhe kjo pastaj kjo ka ndikuar që pastaj edhe të mosrespektohen masat. Mirëpo mendoj se vendimet e fundit të Qeverisë duhet të mbikëqyren në mënyrë rigoroze”.
“Ne e dimë se çdokund që nuk mund të lihen në dorë të qytetarëve. Institucionet shëndetësore duhet t’i orientojnë qytetarët edhe t’i gjobisin ata që nuk i respektojnë masat”.