Saga e dializës në SHSKUK përfundon me një kontratë më të shtrenjtë sesa ajo që u anulua
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka lidhur kontratë më të shtrenjtë për shërbimin e hemodializës, sesa ajo paraprake që e shkëputi javën e kaluar.
SHSKUK-ja ka publikuar kontratat për tre lote me kompanin “Medihealth”. Tre lotet me këtë kompani do t’i kushtojnë SHSKUK-së mbi 508 mijë Euro, shkruan Gazeta Shneta.
Ndërsa kontrata që e shkëputi javën e kaluar me kompaninë “Medicom”, kishte çmimin 479 mijë Euro.
“Medicom” javën e kaluar ka dal me një reagim dhe disa pretendime kundrejt kompanisë që SHSKUK-ja lidhi kontratë të re. Gjithashtu në këtë reagim përfshihen edhe zyrtarë të QKUK-së.
Nga kjo kompani kanë deklaruar se shkëputja e kontratës ishte e jashtëligjshme. Sipas tyre, blerja e materialit për hemodializë me tendera emergjent po bëhet për të ruajtur monopolin e jashtëligjshëm.
“Një prej kërkesave kryesore në të gjithë tenderët është që liferimi të bëhet në afate shumë të shkurta kohore prej 1, 2 apo maksimum 5 ditë. Në formë praktike, asnjë vend nuk mund të aplikojë në këto tenderë përpos Maqedonisë, kjo për shkak se liferimi brenda ditës mund të bëhet me transport rrugor vetëm nga ky vend. Duke pasur këtë monopol, është bërë abuzim me çmimet e produkteve dhe është dëmtuar buxheti publik duke paguar shumëfish më shtrejtë se çmimi i tregut. Cmimet janë afërsisht 100% më të shtrejta se cmimet e tregut”, thuhet në këtë reagim.
“Në dy tenderët emergjent, më datë 31.10.2025 dhe 06.11.2025, kanë konkuruar vetëm Medicom dhe Medi Health Sh.P.K. Oferta e Medicom në tenderin e dytë emergjent (fund tetori 2025) ka qenë për 492 mije euro më e lirë në krahasim me ofertën e Medi Health Sh.P.K. kurse në tenderin e tretë emergjent i datës 6 Nentor ka qenë për EUR 255,000.00 më e lirë në krahasim me ofertën e Medi Health Sh.P.K”, thuhet në reagim.
Nga kjo kompani kanë deklaruar se pas nënshkrimit të kontratës në tenderin emergjent të datës 6 nëntor, furnizimi është bërë po atë ditë me bikarbonat ndërsa me produktet tjera ditën e hënë me rreth 25 për qind të materialit.
Nga “Medicom” kanë ngritur pretendime se zyrtarja e pranimit të mallit në QKUK, Ardelinë Delijaj, ka kërkuar që të mos i pranohet mallit i kësaj kompanie.
“Arsyetimi ishte tejet banal, nuk ishte e sigurtë që produkti BiBag i prodhuesit Gjerman Fresenius (sipas specifikimit Kontratës), a është kompatibil me makinat e dializës poashtu Fresenius të ShSKUK (Fresenius furnizon 60% të tregut të Bashkimit Evropian). Ardelinë Delijaj, sipas vetë licensës së dorëzuar në tender, është Teknik i Farmacisë në kuadër të Licensës së Veprimtarisë së Medi Health SHPK, pra gjithashtu punëtore edhe e QKUK edhe e Medi Health SH.P.K”, thuhet në këtë reagim.
Nga kompania “Medicom” gjithashtu është dorëzuar në SHSKUK edhe një dokument me pretendime për falsifikim të dokumenteve nga kompania “Medihealth” në një tender për furnizim me pajisje mjekësore.
Fjala është për tre pajisje mjekësore Electrokardiograf, Defibrilator dhe Fetal Monitor, për të cilat ka ofertuar edhe “Medihealth”. Sipas pretendimeve të “Medicom”, kompania “Medihealth” ka falsifikuar “Certificate of Compliance” te leshuara nga prodhuesi “ARI Medical Technology Co. Ltd”, meqe ky prodhues nuk posedon fare certifikate CE te leshuar nga “Ente Certificazione Machine”, vulen e te ciles e mbajne tre dokumentet e ofertuara nga “Medi Health”.
SHSKUK nuk ka dhënë sqarime në lidhje me këto pretendime, ndërsa përgjigjja e kompanisë “Medihealth” është publikuar më poshtë në këtë artikull.
Delijaj mohon të ketë lidhje me “Medihealth”
Gazeta e ka pyetur Delilajn nëse këto pretendime qëndrojnë, por ajo ka thënë se nuk e ka licencën e saj në dosjen e kompanisë “Medihealth”.
“Ju njoftoj se të gjitha të dhënat që lidhen me licencën time mund të verifikohen në mënyrë të plotë dhe të sigurt përmes institucioneve ligjore përkatëse: AKPPM-së, Odës së Farmacistëve dhe, nëse është e nevojshme, edhe përmes Zyrës për Media, duke respektuar hierarkinë institucionale për sigurimin e dokumentacionit zyrtar. Është hera e fundit që deklarohem lidhur me këtë çështje, duke theksuar qartë se çdo person që ka tentuar të njollosë emrin tim pa verifikuar paraprakisht të dhënat zyrtare, do të përballet me pasoja të rënda ligjore”, ka deklaruar Delijaj.
Ajo ka thënë se në cilësinë e zyrtares së pranimit, “unë gjithmonë kam vepruar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative (PSO) dhe gjithmonë në koordinim me Komisionin Vlerësues, i cili ka kompetencën e plotë për të përcaktuar pranimin ose refuzimin e materialeve specifike të dedikuara për klinikat. Roli im në këtë proces ka qenë gjithmonë strikt teknik, minimal dhe i kufizuar në zbatimin e udhëzimeve të komisionit”.
Delijaj ka thënë se çdo pretendim tjetër është përpjekje për njollosje.
“Çdo pretendim për njollosje nga kompania në fjalë, për shkak të mungesës së dokumentacionit plotësues apo dërgimit të pjesshëm të materialit, është tërësisht i pabazë. Refuzimi i materialit është bërë vetëm për shkak të mosplotësimit të kritereve, ndërsa i njëjti material është pranuar nga Barnatorja Qendrore më datë 10.11.2025, pasi ka plotësuar kërkesat përkatëse. Kompania në fjalë, në mungesë të furnizimit të duhur dhe në kohë, do të ndiqet penalisht. Gjithashtu, ju ftoj të hulumtoni arsyet e mosliferimit të materialit specifik brenda afatit të përcaktuar sipas kontratës emergjente (afati i liferimit: 1 ditë). Operatorit ekonomik i është besuar deklarimi se posedon materialin në depo në momentin e nënshkrimit të kontratës, ndërkohë që dokumentacioni tregon se materiali është prodhuar në Turqi po të njëjtën datë – 07.11.2025, ndërsa leja e importit është marrë vetëm ditën e hënë. Kjo ka rezultuar që pacientët e trajtuar me këtë shërbim jetik të mbesin tre ditë rresht të ekspozuar dhe të varur nga donacionet, gjë që përbën rrezik serioz për shëndetin publik. Ju siguroj se licenca ime nuk ka qenë aktive dhe nuk ka ekzistuar konflikt interesi në asnjë fazë të procesit. Për më tepër, unë as nuk lidh kontrata dhe as nuk i ndërpres ato. Për këtë çështje, përgjegjëse është zyra e prokurimit, ndaj ju ftoj t’i drejtoheni z. Fetahu për të sqaruar bazën ligjore mbi të cilën është lidhur një kontratë emergjente me afat liferimi 1-ditor pa u siguruar paraprakisht se nuk ekzistonin stoqe të mjaftueshme”, ka thënë Deliljaj.
“Azizi kërkoi shkëputje të kontratës”
Kompania “Medicom” ka ngritur pretendime edhe ndaj drejtorit të SHSKUK-së Elvir Azizi, që sipas tyre ka kërkuar jashtëligjshëm shkëputjen e kontratës.
“Vete drejtori i SHSKUK Elvir Azizi, më datën 10 Nentor 2025, dergon e-mail dhe kërkon ndërmarrjen e masave kundër Medicom, edhe pse është tërësisht jashtë kompetencave të tij që të merret me ndëshkime dhe ndërprerje të Kontratave me operator. Shembulli i tretë, janë të paktën shtatë (7) komunikime të Menaxherit të Kontratës Agon Shala, ende pa filluar zbatimi i Kontratës, që Medicom’it menjëherë t’i shkëputet Kontrata. Kjo si duket rezultat i presionit të palëve tjera. Pra, ende pa filluar furnizimet fillon plani për shkëputjen e Kontratës. Për më tepër, i njëjti nuk ka ofruar që të dërgojë Planin për Menaxhimin e Kontratës, që është detyrim ligjor sipas Nenit 81 të Ligjit të Prokurimit, në mënyrë që të bëhet planifikimi i sasive. Prandaj sasitë në urdhërblerje pa asnjë komunikim me Medicom kanë qenë arbitrare”, kanë deklaruar nga kjo kompani.
SHSKUK në një përgjigje për Gazetën ka thënë se operatori ekonomik nuk i ishte përmbajtur kontratës.
“Duke qenë se lënda është në OShP, duke pasur parasysh nevojat për material për dializë, Zyra e Prokurimit në ShSKUK, ka udhëhequr një procedurë emergjente, ku ishte lidhur kontratë emergjente dhe për shkak se operatori nuk ishte përmbajtur asaj, Zyra e Prokurimit e kishte shkëputur. Ndërkohë është udhëhequr procedurë e re emergjente”, thuhet në këtë deklaratë nga SHSKUK.
Kjo kompani ka ngritur pretendime edhe ndaj Ibrahim Rrudhanit i cili është koordinator për furnizim për hemodializë dhe Tetore Olloni e cila është kryesuese e Bordit të ShSKUK “për neglizhencë, dhe refuzim të ndërmarrjes së veprimeve në mbrojtje të ligjshmërisë”.\
Gazeta e ka pyetur SHSKUK-në edhe në lidhje me këto pretendime, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
“Medihealth” mohon të gjitha pretendimet
Gazeta ka marr qëndrime edhe nga kompania “Medihealth”, të cilët e mohojnse teknikja e farmacisë Ardelinë Delijaj është e punësuar në kompaninë e tyre.
Ata thonë se Delijaj ka qenë pjesë e kompanisë në fillim të themelimit, por emri i saj nuk ka figuruar në asnjë kontratë me institucionet publike.
“Keshtu qe ju sqarojme se kjo teknike nuk ka te beje asgje me kompanine tone qe nje kohe te gjate. (bashkengjitur me kete email Certifikata valide e leshuar nga Agjencioni i Barnave, ndersa dokumenti qe ju ka percjellur OE Medicom me siguri eshte Certifikata jovalide pa ndryshimet e bera). Sa i perket pretendimeve per mos pranim te mallit, kjo eshte qeshtje mes OE Medicom dhe komisionit te pranimit, dhe nuk ka asnje lidhje me kompanine tone”, thuhet në deklaratën e “Medihealth”.
Nga kjo kompani poashtu deklarojnë se pretendimet për falsifikim të dokumenteve në tenderin për furnizim me pajisje nuk qëndrojnë dhe se po bëhet “luftë” e pandershme ndaj kompanisë së tyre.
“Pretendimi per falsifikime te dokumenteve nuk qendron, kjo eshte nje “lufte” e pandershme qe po behet ndaj kompanise tone e qe te gjitha keto te paverteta do ti paraqesim ne organet e drejtesise., kjo per te vetmin fakt qe OE qe ka deshtuar me furnizim me keto produkte tenton te mbuloj deshtimin e tij duke thene te pavërteta”, kanë deklaruar nga kjo kompani.
“OE Medicom perveq se ka rrezikuar jeten duke mos permbushur detyrimet kontraktuale, ka ofruar produkte qe kane deshtuar ne funksionimin e tyre duke rrezikuar drejtperdrejt shendetin e pacienteve”, kanë deklaruar nga “Medihealth”.

