Saint West debuton në fushatën gjigante të “Nikes”, krah Kim Kardashianit, Cristiano Ronaldos dhe LeBron Jamesit
Saint West, djali 10-vjeçar i Kim Kardashian, ka bërë debutimin e tij në një nga fushatat më të mëdha promovuese të kompanisë “Nike”, duke u shfaqur përkrah nënës së tij dhe yjeve botërore të sportit si Cristiano Ronaldo dhe LeBron James.
I njohur për pasionin e madh ndaj futbollit, Saint është pjesë e filmit promocional të Nike para Kupës së Botës, me titullin “Rip The Script”.
Në këtë projekt marrin pjesë edhe emra të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Lisa nga Blackpink, reperi Travis Scott, sulmuesi norvegjez Erling Haaland dhe aktori Jason Sudeikis në rolin e tij të famshëm si Ted Lasso.
Një nga momentet më të komentuara të videos ishte ai kur Saint, mes zhurmës dhe angazhimeve të ekipit të xhirimit, iu drejtua nënës së tij me një pyetje humoristike: “Mami, a mund të ikim”? Ky moment u bë shpejt viral në rrjetet sociale.
Kim Kardashian ndau me ndjekësit e saj edhe fotografi nga prapaskenat e xhirimeve, ku shfaqej së bashku me të birin në setin e fushatës. Në disa prej imazheve, Saint shihet duke luajtur me top dhe duke demonstruar aftësitë e tij në futboll.
Sipas përfaqësuesve të Nike, përfshirja e Saint në këtë fushatë erdhi si rezultat i dashurisë së tij të madhe për futbollin. Ata kanë bërë të ditur se ai është një tifoz i zjarrtë i Paris Saint-Germain, gjë që e bëri pjesëmarrjen e tij në projekt edhe më autentike.

