Sali Berisha për Thaçin: Miladini Shqipfolës po vdes politikisht
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur në emisionin Pressing, ku ndër tjerash e ka krahasuar veprimin e Mehdi Frashërit për dorëzimin e Korfuzit Greqisë, me idetë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Mehdi Frashëri, shkoi dhe e dha nënshkrimin për dorëzimin e Korfuzit, dhe me nënshkrimin e tij kishte vdekur kjo çështje, të njëjtën gjë e bëri edhe ‘Miladinit shqipfolës’” tha Berisha duke iu referuar Hashim Thaçit.
I pyetur për marrëdhëniet e tij të mira që i ka pasur dikur sa ishte kryeministër, me homologun e tij kosovar, tha se ai e ka bërë këtë për shkak se ka bërë përpjekje për të mbajtur marrëdhënie të mira me liderët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi.
“Me çdo udhëheqës së Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë e Malit të Zi, jam përpjekur të mbaj marrëdhënie sa më të mira të mundshme, për shkak të respektit së detyrës” tha Berisha.
Por ai shtoi se kurrë nuk do të pranojë të mbajë marrëdhënie të mira me persona që bëjnë pazare me territore të Kosovës.
“Unë nuk do të pranojë kurrë që dikush ta nxjerrë në Pazar territorin e Kosovës, besoj asnjë shqiptarë në botë nuk pranon” shtoi Berisha.
Ai tha se akuzat e Hashim Thaçit janë “përpëlitje të argatit të plagosur politikisht për vdekje që nuk e di se çfarë flet”.